Qeveria shqiptare i hap rrugë aeroportit të Vlorës pavarësisht kundërshtimit të ambjentalistëve
Vendimi i qeverisë shqiptare për miratimin e kontratës koncesionare për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës u publikua të mërkurën në fletoren zyrtare duke i hapur rrugën projektit, megjithë kundërshtimin e organizatave mjedisore, pasi prek një zonë të mbrojtur.
Sipas vendimit të qeverisë kontrata e koncesionit për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të lidhet nga Ministria shqiptare e Investimeve dhe Energjisë dhe bashkimi i operatorëve ekonomikë “Mabco”, dhe “Yda”. Kompania Mabco Construcsion SA” i përket biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli, ndërsa kompania turke “YDA” njihet së fundi, pasi ndërtoi spitalin e Fierit, fryt i një bashkëpunimi turko-shqiptar.
Ndërtimi i spitalit u njoftua nga Presidenti turk Erdogan gjatë një takimi me Kryeministrin Rama në Ankara, para zgjedhjeve parlamentare të Prillit në Shqipëri. Ai përfundoi në një kohë të shpejtë dhe ditët e fundit është vënë në funksion.
Sipas deklarimeve zyrtare të Ministrisë së Investimeve dhe Energjisë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës pritet të nisin brenda 14 muajsh nga dy kompanitë që fituan tenderin ndërkombëtar me një oferte në vlerën e 104 milionë eurove dhe gjatë kësaj kohe kompanitë do të duhet të sigurojnë edhe lejet mjedisore.
Zona ku do të ndërtohet aeroporti pranë fshatit Akërni të Vlorës në vitin 2004 është shpallur “Peizazh i Mbrojtur”. Një grupim prej 36 organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i kërkuan qeverisë shqiptare pak kohë më parë ta ndërtojë aeroportin në një zonë tjetër dhe jo në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës.
Sipas organizatave, Peisazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë shërben si një korridor i rëndësishëm në nivel global për shpendët migratues dhe investimi për aeroprotin do të cënonte këtë pasuri të rrallë natyrore.
Lidhur me projektin e aeroportit të Vlorës qeveria shqiptare ka marrë përsipër “garantimin e të ardhurave të munguara”, të cilat do t’i paguhen konsorciumit fitues nga taksapaguesit, në rast se aeroporti dështon për një total prej rreth 138 milionë eurosh, ndërkohë që vetë konsorciumi ka marrë përsipër rriskun e investimit të 104 milionë eurove. /VOA/