Projekti/ Saranda nuk do të ketë fare gjykata. Gjirokastra ngelet vetëm me një gjykatë, shkrihet Apeli dhe Administrativja
Projekti i Këshillit të Lartë Gjyqësor që parashikon mbylljen e disa gjykatave nëpër rrethe prek edhe Gjirokastrën. Aktualisht në Gjirokastër funksionon Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit.
Nëse miratohet propozimi i KLGJ-së, Gjirokastra do të ketë vetëm një Gjykatë të Shkallës së Parë. Apeli dhe Administrativja do do të mbyllen. Ndërkohë për dy rrethet e tjera Përmet e Sarandë, nuk do të funksionojë më Gjykata e Shkallës së Parë. Përqëndrimi i çështjeve gjyqësore në Tiranë konsiderohet regres për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Ndërkohë për qytetarët që kanë çështje të ndryshme gjyqësore do të vështirësohet më tepër ndjekja e tyre sepse rritet kosto dhe koha.
Fjala vjen për banorët e jugut, mund të ketë Gjykatë Administrative apo Gjykatë Apeli vetëm në Fier ose në Tiranë. Një banor i Konispolit e ka shumë të vështirë të shkojë në Fier për të ndjekur seancën gjyqësore. KLGJ propozon riorganizim të gjykatave në Shqipëri, nga 34 gjykata të mbeten 15 dhe një gjykatë Apeli.
KLGJ bën me dije se propozon që nga 22 Gjykata Rrethesh, 6 Administrative dhe 6 Gjykata Apeli që janë aktualisht të mbeten 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm, 2 Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli.