Ngjarja që tronditi Ksamilin, 4 pistat e hetimit për Gramoz Memën

Ksamili është tronditur mbrëmjen e së dielës nga vrasja e biznesmenit Gramoz Mema. Gjithçka ndodhi pak para orës 23:00 të mbrëmjes, pasi viktima, i rregullt me orën policore, mbylli lokalin e tij.

Pista kryesore që po hetohet nga Policia është një konflikt që Mema kishte pasur në lokalin e tij, vetëm një natë para vrasjes. Sipas dëshmitarëve, gjithçka kishte ndodhur për pagesën e një fature nga klienti.

Po ashtu një tjetër pistë është ajo e të shkuarës së tij në Britaninë e Madhe. Viktima prej disa kohësh ishte kthyer nga emigrimi dhe kishte vendosur që të hapte një biznes në Ksamil, ku edhe jetonte vetëm me të ëmën.

Pista tjetër është se po hetohet “për lidhjen e tij problematike me një grua të martuar në Tiranë”, deklaroi mbrëmë në “Opinion” gazetarja Klodiana Lala.

Por ka edhe një pistë tjetër, e cila nuk do të duhej që të ekzistonte nëse ligji do të zbatohej; ajo e lojrave të fatit. Sipas raportimeve, viktima ishte i dhënë pas lojrave të fatit dhe shpesh herë shkonte për të vendosur baste, gjë kategorikisht e ndaluar sipas ligjeve në Shqipëri. Pas ngjarjes policia shoqëroi disa persona, por ende nuk ka të arrestuar për krimin. Autorët që kryen atentatin ndaj Memës ishin 4 persona. Ata e qëlluan me armë pranë banesës së tij.