Nga 7 qershori hapet Qafë Bota, Kristo Kiço: Do të kalojë një numër të limituar banorësh
Zyrtarët e shtetit grek kanë aprovuar kërkesën e minoritarëve për të aksesuar hapjen e Doganës së Qafë Botës.
Përmes një lidhje Skype për MCN TV kryetari i bashkisë Finiq, Kristo Kiço deklaroi se hapja e kësaj pike doganore është me rëndësi të madhe për banorët e zonës si në aspektin ekonomik edhe për bashkimin e të afërmve me njëri-tjetrin, të cilët kanë qenë të ndarë për shkak të pandemisë.
Siç u shpreh Kiço, kjo pikë doganore do të ketë një numër të kufizuar kalimtarësh duke ruajtur edhe protokollet.
Intervista e plotë e Kiços:
Kiço më në fund kërkesa juaj është marrë në konsideratë nga zyrtarët e shtetit grek për të aksesuar hapjen e Doganës së Qafë Botës. Por a do të kërkohet test, çfarë protokolli do te ndiqet?
Kiço: Përpjekja e fundit që kemi bërë është letra drejtuar kryeministrit Mitsotakis dhe për dijeni presidentes greke sepse hapja e kësaj pike doganore është me rëndësi jetike për zonën tonë jo vetëm për ndikimet në aspektin ekonomik por edhe për shkak të ndarjes së banorëve, të cilët për shkak të masave nuk kanë vizituar njëri-tjetrin. Por kjo ka qenë në mënyrë të dyanshme.
Ka një numër të limituar banorësh që do të kalojnë nga kjo pikë kalimi. A është i mjaftueshëm ky numër?
Kiço: Për mendimin tonë pas një përpjekje për hapjen e kësaj pike është hap pozitiv kjo që ndodhi hapja e kësaj pike. Kuptohet që kjo pikë do ketë një numër të kufizuar kalimesh duke ruajtur protokollet. Unë dje kontaktova edhe me deputetët e Peshkopisë dhe i kemi pasur edhe ata në krahë për të ushtruar presionet e tyre për hapjen e pikës doganore. Besoj se numri i kalimeve do të rritet duke marrë parasysh që po bëhet vaksinim masiv dhe numri it ë infektuarve është ulur. Ne presim sezonin e beharit për të mbledhur taksat dhe për të ndihmuar ekonomikisht zonën dhe gjatë kësaj periudhë vijnë masivisht emigrantët për të kaluar pushimet dhe për të takuar edhe të afërmit.
Kiço së fundi shteti grek ka premtuar dhe dhurimin e disa dozave të vaksinave për Shqipërinë. Si e shikoni këtë kontribut?
Kiço: Unë e vlerësoj si zhvillim pozitiv që do të ndihmojë që ne të dalim nga kjo situatë. Është e rëndësishme çfarëdolloj ndihme dhe kjo ndihmë nga ana e Greqisë do të ndihmojë në procesin e vaksinimit.