“Më dogjët çarçafët, ikët si hajdutë”, policia reagon pas sherrit mes turistëve dhe pronares së hotelit në jug: Të dy kanë bërë kallëzime

Policia e Himarës ka dhënë njoftimin zyrtar, në lidhje me një video që u bë virale në rrjetet sociale, ku pronarja e një hoteli i ka bllokuar rrugën një çifti turistësh, që ishin larguar nga dhoma ku qëndronin, për shkak se nuk iu pëlqenin kushtet.

Burime bëjnë me dije se shtetasja E.J ka kallëzuar në polici shtetasin me inicialet V.M, të cilin e akuzon se i ka thyer disa orendi, dhe e akuzon se i ka shkatërruar pronën.

“Shtetasi V.M që ka bërë vidion dhe është në makinë është denoncuar në policinë e Himarës për shkatërrim prone. Pronarja E.J ka kallëzuar në polici se shtetasi në fjalë ka qenë në hotelin e zonjës bashkë me familjen dhe i ka dëmtuar dhomën e hotelit, duke thyer disa orendi.

Pas ngjarjes së filmuar edhe shtetasi V.M ka denoncuar për kanosje”, bëjnë me dije zyrtarisht burime nga Policia.

Pronarja e hotelit, që i ka zënë rrugën çiftit me fëmijën e mitur në makinë, pretendon se ata i kanë djegur disa çarçafë në hotel, dhe kanë dëmtuar dhomën.

“Më dogjët çarçafët, më dëmtuat pronën”, dëgjohet të ankohet pronarja e hotelit në video, ndërkohë që pushuesit pretendojnë se nuk kanë marrë shërbimin e duhur, e madje nuk iu kanë dhënë as faturë.

Kjo ngjarje në fakt, risjell në vëmendje precedentin e ‘Mihalit’, i cili iu hodh përpara makinës së disa turistëve spanjollë, dhe më pas bëri burg për aktin e tij.