Mario Gurma “var këpucët në gozhdë”: Luajta një 90- minutësh të veçantë
Pasi shënoi dhe ngjiti Butrintin në Kategorinë e Parë, Mario Gurma e mbyll me futbollin. Sulmuesi 39-vjeçar, pasi ndihmoi ekipin që drejtohet nga i ati, ka menduar të “varë këpucët në gozhdë”. Të paktën këtë e thotë vetë ai për “Panorama Sport”
“Jemi më shumë se të gëzuar. Është një sukses që shkon për të gjithë Sarandën, ku kanë vite që e presin ngjitjen. E kishim përgatitur me detaje finalen, pasi varej fati i klubit dhe ia dolëm. E merituam totalisht, pasi shënuam e goditëm shtyllën.
Unë dhe profesori vetëm i nxitëm për të arritur këtë sukses, pasi nuk kanë luajtur ndonjëherë ‘play off’. Ishte një 90- minutësh shumë delikat dhe i veçantë, pasi ishte i fundit për karrierën sime.
Nuk mbaja mend ndeshjen e parë që kam luajtur, por të fundit nuk do ta harroj. Dinastia ‘Gurma’? Është një mbiemër i përbashkët, pasi futbolli përkthehet me atë që jep në fushë”, përfundoi “bomberi” i sarandjotëve.