Kundër banditëve buzë detit

Gazetari njohur kosovar, Enver Robelli, ka bërë një shkrim referuar ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur ditët e fundit në bregdet nga Velipoja, në Dhërmi, e Sarandë. Ngjarje që kanë tronditur Shqipërinë si dhe janë bërë lajme në mediat e huaja që dëmtojnë turizmin shqiptari.

Ai thekson se qeveria shqiptare duhet të reagojë me vendosmëri për të parandaluar këso krimesh. Duhet të shtohet prania e policisë në vijën bregdetare. Patrullimet duhet të jenë të rregullta.

SHKRIMI I PLOTË

Kundër banditëve buzë detit

► Katër të vrarë në Velipojë për shkak të një konflikti idiotik mes dy pronarëve të hoteleve për shfrytëzimin e hapësirave publike pranë detit

► Mbi 20 plumba të shkrehur në një lokal në Sarandë

► 60 shtretër plazhi të djegur në Dhërmi pas një konflikti për shfrytëzimin e vijës bregdetare

► Një bandit i njohur me nofkën “Ujku” arrestohet në Sarandë pasi tentoi ta djeg me benzinë lokalin e një biznesmeni. Bëhet fjalë për lokalin e njëjtë ku u hap zjarr në fundjavë

Ngjarja e tmerrshme e Velipojës u bë lajm edhe në mediat gjermane. Krime të tilla janë helm kundër turizmit në Shqipëri. Qeveria shqiptare duhet të reagojë me vendosmëri për të parandaluar këso krimesh.

Duhet të shtohet prania e policisë në vijën bregdetare. Patrullimet duhet të jenë të rregullta. Çdo konflikt duhet të merret seriozisht nga autoritetet, të cilat duhet të ndërhyjnë menjëherë.

Sepse çdo krimi i paraprinë fjalosja, kërcënimet etj. Turizmi është një degë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Nuk duhet lejuar që këtë degë ta dëmtojnë banditët që duke shfrytëzuar kaosin me prona në Shqipëri e marrin ligjin në dorë. Imazhi i një vendi nuk përmirësohet lehtë. Dhe imazhi i një vendi dëmtohet rëndë nëse shpeshtohen këso ngjarjesh si në ditët e fundit në Shqipëri.