KPA mbyll hetimin gjyqësor për gjyqtarin e Gjirokastrës Ramiz Lala
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën të mbyllë hetimit gjyqësor lidhur me ankimin e kryer ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala. Mbyllja e hetimit gjyqësor erdhi pasi gjyqtari Lala dhe Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i quajtën të plota hetimet e kryera dhe provat e administruara në funksion të ankimit.
Gjyqtari Ramiz Lala u konfirmua në detyrë më 26 korrik 2019 nga KPK. Vendimi erdhi pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit. Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall. Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK, që sollën përmbysjen e balancës negative.
Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rihapi procesin e vetingut për Lalën. Komisioneri kërkoi në ankim hetimin e dy vendimarrjeve të Lalës lidhur me çështje me palë paditëse dy punonjës policie dhe palë të paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për njërën çështje, Policia e Shtetit pretendonte se gjyqtari Lala kishte marrë vendim për një gjë të gjykuar dhe jashtë kërkimeve të palës paditëse, ndërsa për çështjen tjetër pretendonte si ishte gjykuar një çështje jashtë juridiksionit të gjykatave.
Gjithashtu, Ballhysa kërkoi rikryerjen e analizës financiare për disa vite dhe lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të Komisionit.
Gjatë seancës së të martës, Komisioneri Publik konsideroi se fashikujt e dy çështjeve të gjykuara nga Lala, të administruara së fundmi nga KPA i plotësonin kërkimet e ankimit.
Lidhur me denoncimin për çështjen me palë paditëse S.R. dhe palë e paditur Policia e Shtetit, Komisioneri Ballhysa solli në vëmendje se gjatë seancës së konkluzioneve përfundimtare, nga pala mbrojtëse ishte kërkuar nxjerrja e urdhërit të ekzekutimit, ndryshe nga sa pretendonte pala denoncuese.
Ndërkohë, bazuar në vendimet e administruara nga Lala gjatë gjykimit të asaj çështje në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës, Ballhysa evidentoi se një vendim i vitit 2012 i Gjykatës së Lartë ishte shprehur lidhur mbi kërkesën e palës pditëse S.R. për pagesën dhe se Lala në këtë rast, duket se ka qenë në dijeni se po gjykonte një gjë të gjykuar.
Lala deklaroi se, ashtu si ishte shprehur në seancën paradhëse, denoncimi i Policisë së Shtetit ishte kryer me qëllim që vendimi i KPA të ndikonte në Apelin Administrativ në gjykimin e çështjes me palë paditëse S.R.
Ai pohoi se në ankimin e vitit 2019, Policia e Shetit kërkonte ndihmë nga KLGJ, KPA e Komisioneri Publik që të tërhiqnin vëmendjen e përmbaruesit dhe për vendimarrjen në shkallën e parë.
Lala deklaroi se nuk kishte dhënë vendim për një gjë të gjykuar.
Ai tha se nuk qëndronte edhe akuza tjetër e ngritur nga Policia e Shtetit se nuk ishte në juridiksionin e gjykatave dhënia e gradave.
Ai sqaroi se Gjykata e Lartë kishte disponur me disa vendime të ndryshme për situata të tilla, ku në disa raste është çmuar se gjykatat kanë juridiksion në këto çështje, ndërsa me disa vendime të tjera janë rrëzuar vendimarrjet e shkallës së parë.
“Gjykata e Lartë nuk ka vendim të unifikuar dhe vendimarrjet e ndryshme e konfondojnë më shumë këtë situatë. Vetë Gjykata e Lartë ka vendosur standard të dyfishtë,” tha Lala dhe kërkoi që këtë situatë ta vlerësojë KPA.
Lidhur me vendimarrjen për kërkesë- padinë e punonjësit të policisë A.Gj., Komisioneri sqaroi se Lala ka arsyetuar se, për shkak të moshapjes së procedurave për rritjen e gradave, paditësit i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në konkurrim.
Sipas Ballhysës, subjekti ka disponuar me vendim nëpërmjet të cilit i ka dhënë palës pditëse gradën “Drejtues”, me argumentin se Policia e Shtetit nuk krijonte kushtet për të garuar.
Komisioneri sqaroi se nga verifikimi i akteve nuk konstatohet që Policia e Shtetit të kishte organizuar procedurë konkurrimi e për pasojë paditësit A.Gj. t’i jetë mobuar pjesëmarrja në garë.
Ballhysa deklaroi se duket se në këto çështje identifikohen elementë të matshëm për kriterin e profesionalizmit.
Lala deklaroi se Policia e Shtetit nuk e kishte ankimuar këtë vendim. “Policia e Shtetit mban standarde të dyfishta. Ndonjëherë i quan të ligjshme, ndonjëherë i ankimon si të paligjshme”, shtoi subjekti.
Ai kërkoi që të shqyrohen dosjet nga KPA dhe shprehu bindjen se prej andej do të rezultonte se nuk kishte cënur besimin e publikut tek drejtësia.
“Nëse do të shqyrtohet dosja me palë paditëse S.R., atëherë do të kuptohet se në cilën anë jam,” tha Lala.
Për analizën financiare të kryer në KPA për vitet 2011, 2014, 2016 dhe 2016, Komisioneri evidentoi mungesën financiare të konstatuar në shumën totale 939 mijë lekë dhe u shpreh se analiza e përmbush shkakun e ankimit për pasurinë.
Gjyqtari Ramiz Lala e kundërshtoi analizën financiare të Kolegjit. Ai theksoi se nuk ishin përfshirë të ardhurat e përfituara nga bashkëshortja nga bujqësia dhe rritja e shpendëve. Ai deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion për pagesën e detyrimeve për tokën bujqësore që zotëron në Paskuqan të Bashkisë Kamëz.
“Fakti që një familje ka krijuar të ardhura nga bujqësia nuk provohet vetëm me pagesën e sigurimeve si i vetëpunësuar në bujqësi, por edhe me foto dhe prova të tjera,” pohoi Lala dhe theksoi se mbetet detyrim i KPA-së të shprehet nëse do t’i konsiderojë në analizë këto të ardhura, që sipas tij varionin nga 200 mijë lekë deri në 250 mijë lekë për çdo vit.
Ai kërkoi që të uleshin edhe shpenzimet e jetesës, pasi kishin pasur prodhime bujqësore e blegtorale gjatë periudhës që i është nënshtruar analizës financiare.
Lala e cilësoi të padrejtë mosreflektimin e një bonusi kredie në shumën 18 mijë lekë në vitin 2011, si dhe të dietave për ushqim dhe transport për periudhën 2011-2014.
“Duhet të reflektohen ose si të ardhura, ose të ulen shoenzimet e jetesës,” deklaroi Lala dhe theksoi se pretendimet e tij bazohen në prova të vërtetuara me dokumentacion bankar.
Në fund të seancës, Komisoneri u shpreh se hetimi i deritanishëni kishte përmbushur kërkesat e ankimit dhe kërkoi mbylljen e hetimit gjyqësor. Po ashtu edhe Lala kërkoi mbylljen e hetimit, kërkesë që u pranuan nga Kolegji që u kërkoi palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare për t’i paraqitur në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet më 7 korrik, ora 08:30.