Dy kompani paraqesin interes për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës/Rama: Nisim menjëherë me Sarandën

Dy kompani kanë paraqitur interes për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

Gara për paraqitjen e ofertave për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës është mbyllur pak ditë më parë dhe kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot nga Saranda se kanë paraqitur interes dy kompani.

Nëse nga Komisioni i shqyrtimit të ofertave rezulton se një nga ofertuesit përmbush kriteret për tu përzgjedhur, kryeministri deklaroi se menjëherë pas Vlorës ne do të hapim procedurën për aeroportin e Sarandës.

Kryeministri u shpreh se për këtë aeroport është gati projekti.

“Me sa duket do të kemi fitues për Vlorën, pasi janë paraqitur dy kompani dhe në momentin që do të kontraktojmë aeroportin e Vlorës do të hapim procedurën për aeroportin e Sarandës”, deklaroi Rama.

Gara për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës u hap fillimisht më 19 dhjetor 2019 dhe fituesi do të shpallej në mars, një proces që u bllokua për shkak të pandemisë COVID-19. Në kushte të tilla, Ministria e Infrastrukturës vendosi të rihapë sërish ankandin ndërkombëtar në nëntor të vitit të kaluar, duke përcaktuar 14 dhjetorin si afatin për shpalljen e fituesit. Por, një ankimim pranë Komisionit të Prokurimit Publik solli vonesa të tjera në finalizimin e garës.

Pas Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit dhe hapjes së atij të Kukësit në fillim të pranverës së këtij viti, Aeroporti i Vlorës bëhet aeroporti i tretë në vend që mund të nisë operimin.

Aeroporti i Sarandës është një aeroport sezonal i cili do të akomodojë nevojat e fluturimeve të posaçme gjatë periudhës turistike nga prilli në tetor. Do të jetë i njëjti koncept me atë që ka sot Korfuzi.