FOTO LAJM/ “Dridhet” Ksamili, kjo është harta e ndërtimeve pa leje që parashikohen të prishen

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Shëngjini se, “pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit”.

Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit, qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit”, tha Rama.

Kryeministri i bëri apel shkelësve të ligjit që të prishin dhe të pastrojnë vetë çka kanë ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballen me forcën e operacionit “Bregdeti ynë”, do të jetë shumë vonë për ta.

kryeministri tha se, “ne vendosëm ta bëjmë publike këtë punë përgatitore që po zhvillohet intensivisht në Ministrinë e Brendshme, por një arsye tjetër është sepse operacioni fillon të hënën e ardhshme”.

“Unë dua që t’jua përcjell këtë mesazh të gjithë tyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit: të lexojnë Kodin Penal dhe menjëherë të marrin masa tani, se do të jetë vonë nga e hëna e tutje për t’ju shmangur përballjes deri në fund me ligjin. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga Policia e Shtetit dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejt për këto shkelje të rënda, dhe të fillojnë t’i prishin vetë. Kjo është për t’u lehtësuar atë që pason”, tha Rama.