20 plumba drejt pronarit të ‘Orange’ në Sarandë, u nxorrën jashtë nga roja i sigurisë dhe filluan të qëllojnë lokalin

Report Tv ka zbardhur motivet e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Sarandë, ku u qëllua me 20 plumba në drejtim të pronarit të “Orange”, Spiro Iljadhi 35 vjeç, afër lokalit të tij, ku rastësisht u plagos edhe pushuesi Marin Jano, 33-vjeç.

Gjithçka ka nisur kur 3 autorët Andrea Caushi, Visi Caushi (vëllezër) dhe shoku i tyre Redjan Hadëri janë nxjerrë jashtë lokalit “Orange” nga roja i sigurisë së lokalit.

Arsyet se përse 3 autorët janë nxjerrë jashgtë lokalit nuk dihen por ata nuk e kanë lënë me kaq. Janë kthyer me armë duke goditur drejt lokalit dhe automjetit “Range Rover” të pronarit Spiro Iljadhit. Pasi ka dëgjuar krismat e armëve, Iljadhi ka dalë jashtë dhe ende nuk nik me saktësi nëse e kanë zënë plumbat teksa po shkrepeshin drejt lokalit apo nëse autorët kanë qëlluar me qëllim në drejtim të 35 vjeçarit.

Një ditë më parë edhe policia tha se plagosja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

“Orange” është nje nga klubet e natës më të njohura në Sarandë, vend i organizimit të shumë spektakleve të këngëtarëve VIP. Pak ditë më parë Iljadhi, kishte hapur një filial të ri të lokalit “Orange” në Ksamil.

Biznesmeni u dërgua me helikopter drejt Tiranës dhe iu nënshtrua një operacioni te Trauma. Report Tv mësoi se plumbat e kanë prekur në bark dhe ka dëmtime të zorrëve.

Spiro Iljadhi njihet si biznesmen në zonë dhe është pronar i lokalit “Bar Orange” në Sarandë dhe Orange Pizza & Grill Lounge” në Ksamil. Iljadhi njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej ‘Ero’.

Mësohet se ai nuk ishte person problematik dhe me precedentë penalë. Pritet që kamerat e sigurisë të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Autorët pasi e kanë qëlluar, janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e tyre, ku njëri prej tyre Redjan Hadëri është arrestuar mëngjesin e sotëm.