Shkëlqen me Butrintin, talenti Alesio Kolonja mer ofertë nga Skënderbeu

Alesio Kolonja është vetëm 20 vjeç dhe e ka vitin e tij të dytë që luan në Kategorinë e Dytë me Butrintin e Sarandës. Në fakt, duket e habitshme, që një lojtar me cilësi mjaft të mira, që ka qenë edhe pjesë e moshave të skuadrës së Partizanit, nuk ka rënë në syrin e drejtuesve të kuq dhe nuk është rasti i vetëm, për më tepër kur bëhet fjalë për një klub të madh që pretendohet të ketë specialist, por që shumë talente kanë ikur dhe shpërthejnë në ekipe të tjera në vendin tonë.

Alesio Kolonja, në ndeshjen që Butrinti luajti me Labërinë, e cila përfundoi 2-2 ishte nga më të mirët në fushë, por ajo që bie në sy është inkursioni që nga zona e skuadrës së tij, e deri kur shënoi në limitet e ndeshjes.

Një gol spektakolar dhe elozhet për të nuk mungojnë, ndërsa duket se ofertat kanë nisur për të….

Nga sa bëhet e ditur ka qenë vetë presidenti i skuadrës së Skënderbeut, Ardjan Takaj që e ka kontaktuar lojtarin dhe i ka ofruar një vend në skuadrën e tij. Kujtojmë që Takaj e njeh mirë futbollin dhe sidomos lojtarët e rinj, madje shumë prej tyre edhe i ka afirmuar dhe më pas i ka shitur, duke qenë lojtarë nga të “katër anët” e globit, që në Korçë janë bërë më pas shumë të njohur…

Në Superiore duhet që të mësojnë dhe rasti i Kolonjës të jetë si leksion, sepse edhe nga investigimet që ka bërë “Vipsport” janë shumë ekipe në Kategorinë e Dytë, që kanë në gjirin e tyre lojtarë të moshave 17-22-vjeçarë, ku mund të gjesh lojtarë që mund të jenë shumë më mirë se të huajt që vijnë në elitë, mjafton që klubet të investojnë në burime njerëzore dhe do ta kuptojnë se pas 3-4 sezonesh, do të funksionojnë si jashtë shtetit, duke afirmuar produktin vendas dhe duke i shitur më pas për të mbuluar edhe shpenzimet, ndryshe futbolli në Shqipëri do të vazhdojë që të jetë një faliment….