Sezoni turistik, Adrian Gurma: Pse duhet të zgjidhni Sarandën
Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian
Gurma, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në A2 ku foli për sezonin e ri turistik.
“Ne de facto e kemi filluar sezonin që në dy fundjavat e kaluara sepse faktikisht nuk është pritur një datë fikse për të çelur sezonin. Ne jemi përgatitur që të presim një sezon turistik ndryshe bazuar dhe në eksperiencën e një viti më parë ku ndikuar nga pandemia, ne u përballëm me një fluks turistësh nga të gjitha trojet shqiptare.
Unë e shoh situatën pak më rozë, sepse numrat e infektimeve krahasuar me një vit më parë janë ulur, por gjithësesi ne jemi përgatitur për një sezon normal. Saranda është një destinacion nga grupe të ndryshme turistësh edhe nga Europa Lindore ku vendin e parë e mban Polonia, por dhe vendet nordike si Norvegjia e Suedia që e vizitojnë ndjeshëm, ashtu si dhe italianët që vitet e fundit kanë qenë një fashë e re turistësh në Sarandë.
Ne shpresojmë që situata e pandemisë të përmirësohet dhe numrat e turistëve të rritet. Saranda këtë vit ka një paketë të përmirësuar turistike jo vetëm cilësore por dhe të zgjatur në kohë. Shëtitorja e re që dita ditës po shkon drejt fundit do të jetë një vlerë e shtuar në ofertën turistike të Sarandës, ashtu si dhe ndërhyrja që kemi bërë me investimin në rrugën Turizëm-Kanali i Çukës e cila do bëjë një ndryshim e mobilitet në qytet. Nuk do të jetë më ai ngërçi i viteve të kaluara në Sarandë. Ne jemi duke u konsultuar me operatorin e kontraktuar për të bërë të mundur hapjen e një loti të këtij segmeti që të ketë një lëvizshmëri të lirë drejt Ksamilit.
Unë pata një takim para disa ditësh me operatorët turistike dhe janë marrë të gjitha masat për një sezon turistik ndryshe”, u shpreh kryebashkiaku Adrian Gurma. /Sarandanews.com/