Sarandë, prag sezoni turistik, mirëmbajtje manastirit të 40 Shenjtorëve

Në monumentet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë vijojnë punimet mirëmbajtëse në prag të këtij sezoni turistik.
Në Sarandë punonjësit e Sektorit të Trashëgimisë Kulturore janë duke vënë në gatishmëri monumentet në pritje të vizitorëve vendas e të huaj.
Ata po kryejnë pastrimet periodike për eleminimin e vegjetacionit në mënyrë mekanike dhe me spërkatje me ilaç për tharjen e barit.

Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve dhe jo vetëm është detyrë dhe përgjegjësi për të ofruar një turizëm cilësor.

Manastiri i 40 Shenjtorëve mbetet një nga destinacionet kryesore në guidat turistike të Sarandës për çdo vizitor vendas apo të huaj.

Bazilika dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve ndodhet në lindje të qytetit të sotëm, në majën e kodrës që i rri përballë Lëkurësit. Monumenti ka një arkitekturë të stilit romak. Ndodhet vetëm 3 kilometra larg qytetit bregdetar. Manastiri i 40 Shenjtorëve është monument i kategorisë së parë, nga të paktët të ruajtur në Perandorinë Bizantine dhe daton në vitet 323-324, kur ka ndodhur martirizimi i 40 shenjtorëve. Është një nga 103 monumentet e kulturës të rajonit jugperëndimor të vendit.