Resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë, po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon turistik

Në Nivicë, 30 km larg Tepelenës falë programit të Rilindjes Urbane kanë marrë jetë agrobujtinat e para.

Një ndër to është dhe investimi i parë i huaj në turizëm, “Campnivica”, projekt i një grupi investitorësh suedezë që është gati të çelë sezonin turistik.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ky investim i investitorëve suedezë.

“Mirëmëngjes ja edhe resorti ekologjik i investitorëve suedezë në Nivicë që po bëhet gati të çelë dyert këtë sezon”, – tha Rama.

Ky investim synon ta kthejë Nivicën në një destinacion të turizmit elitar përmes një resorti të cilësisë së parë 100% ekologjik.

Qendra e Nivicës në 2018-ën është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet.

Fshati Nivicë është pjesë e njësisë administrative “Kurvelesh”. Ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit, rrëzë malit të Këndrevicës, 2100 metra të lartë. Në Nivicë ilirët në shekujt e IV-II para erës së re ndërtuan një kala si gjenezë e qytezës së më vonshme. Kalaja është ndërtuar mbi një shkëmb me lartësi 80 deri në 100 m. Pozicioni strategjik dhe kalaja bëri që ky vendbanim të ishte qendra e dytë me rëndësi e fisit ilir të Amantëve.  Më tej vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë.