Pasi fitoi mandatin e deputetit, Niko Kuri mban premtimin: Rikthim në betejë…

Mjeku i mirënjohur në Sarandë, Niko Kuri, arriti që të ishte ndër më të votuar në zgjedhjet e 25 prillit ku fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës.

Futja e tij në politikë ngjalli një skepticizëm tek opinioni publik në Sarandë, pasi e kërkonin Niko Kuri që të ushtronte punën e tij si mjek në spitalin e qytetit si një vlerë dhe profesionist.

Vetë Kuri i premtoi qytetarëve që nuk do e braktiste profesionin e tij dhe sot ai është rikthyer në betejë.

POSTIMI I NIKO KURI.

Pasi festuam  me nderim të veçantë pranë njerëzve të dashur, festën e Ringjalljes së Krishtit, veshëm përsëri bluzën e bardhë dhe u kthyem përsëri pranë “Petro Nakos”, pranë kolegëve të mi mjekë dhe infermier që japin çdo ditë betejën për shpëtimin e jetës së njerëzve në këtë qytet të vogël por mahnitës.

Në këtë rikthim, një koleg, një mik, një mentor i zemrës më mungon: kardiologu Irakli Thoma,që na e rrëmbeu në mes të betejës Covidi i pabesë!

Më mungon mua, i mungon familjes së tij natyrale, i mungon familjes së mjekëve, i mungon Sarandës civile! I paharuar kujtimi i tij dhe i të gjithë kolegëve mjekë në gjithë vendin që u larguan në qiell këtë vit të vështirë të betejës së madhe!

Jeta është ndërkohë motivi dhe objektivi ynë! Ndaj jemi përsëri këtu pranë njerëzve, në shërbim të jetës çdo orë dhe çdo ditë! Me respektin ndaj betimit dhe me mirënjohjen e madhe  ndaj atyre që më bekuan me dashurinë e tyre pa kufi më 25 prill si përfaqësues në Parlamentin e Shqipërisë!

Faleminderit Finikas, Sarandiotë, Konispolatë, Delviniotë, Himariotë, Nartiotë, Vlonjatë! Ringjallja dhe shpresa le të shërrojë plagët e trupit dhe të shpirtit tuaj dhe jeta t’u bëhet më e begatë në këtë vend të bukur!
Me përulje,
Doktor NIKO KURI
Deputet i Qarkut Vlorë

(Shënim: Bisedoni me mjekun tuaj të familjes për të programuar vizitën tek unë, pasi koha është e vyer dhe së bashku kemi marrë përsipër të bëjmë më shumë se çkemi bërë deri sot. E ardhmja na takon!)