Mbyllja Qafë Botës shkakton probleme të mëdha tek banorët e Konispolit dhe Finiqit
Vendimi i autoriteteve greke për ndalimin e kalimit në pikën e Qafë Botës ka shkaktuar probleme të shumta për banorët ezonës së Konispolit dhe Finiqit, një prej të cilëve është edhe rritja e papunësisë në këtë zonë.
Janë me dhjetra banorë, të cilët përpara pandemisë dhe mbylljes së këtij vendkalimi me Greqinë punonin në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit në fshatrat greke në zonën e Igumenicës, pranë kufirit me Shqipërinë, të cilët për shkak të ndalimit të qarkullimit kanë mbetur pa punë dhe në vështirësi ekonomike.
Banorët e shikojnë këtë vendim të autoriteteve greke si të padrejtë, pasi në Greqi rastet me Covid janë shumë më të larta se në Shqipëri dhe se në Shqipëri një pjesë e madhe e popullsisë tashmë janë vaksinuar dhe shpresojnë në reflektim dhe hapje të shpejtë të kufirit.
Hapja e kufirit në pikën e kalimit kufitar në Qafë Botë është kërkuar edhe nga bizneset greke në zonën kufitare dhe Dhoma e Tregtisë e Igumenicës. Më herët ka qenë edhe kryetari i Bashkisë Finiq Kristaq Kiço dhe kryetari i bashkisë së Igumenicës të cilët i kanë drejtuar autoriteteve greke të njëjtën kërkesë, hapjen e pikës kufitare të Qafë Botës.