Ambasadori i BE Luiggi Soreca takim me Adrian Gurmën: Surprizë e bukur, në një qytet të bukur, në një ditë të veçantë
Me këto epitete është përcaktuar vizita e ambasadorit të BE, Luiggi Soreca dhe zonjës Elisaveth Barsacq, ambasadore e Francës dhe Marco Alonso, ambasador i Spanjës.
Ata janë pritur nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, i cili u ka prezantuar Sarandën në tërë dimensionin dhe profilin e qartë turistik. Gurma ka treguar se investimet e bëra kanë sjellë një qasje krejt tjetër dhe kanë rritur ndjeshëm ofertën turitike, duke shënuar cilësi të re dhe mundësi për zgjatje në kohë të sezonit.
Jo vetëm cilësi por zgjatje në kohë, me pritshmëri për bum turistik këtë verë, duke thënë se edhe vizita e tre ambasadorëve në ditën e çeljes së sezonit turistik, është ogur për një sezon të mbarë.
Ambasadori Soreca tha se është kënaqësi të jesh në një ditë të veçantë, në një qytet të bukur, tejet europian, falë turistëve europianë që zgjedhin të pushojnë tek ju.
“Për ne dhe ju turizmi është shumë i rëndësishëm- u shpreh Soreca-duke theksuar se BE ështe këtu për t’iu mbështetur dhe kjo bukuri të mbetet e tillë e të mos ngarkohet nga gjëra të tjera. I ekzaltuar nga vizita në Sarandë, Soreca tha se sllogani i turit tonë që mbyllet në jug, është “Europa ëshë këtu”, por më e sakta është të thuhet “Europa është edhe këtu”, dhe ne do të jemi në kërkim të formave të ndryshme të bashkëpunimit.
Ambasadorja franceze ka vlerësuar strategjinë zhvilluese që dëgjoi në prezantimin e Kryebashkiakut Gurma dhe dha disa ide për praktikat më të mira që shqiptarët të mos bëjnë gabimet e francezëve në këtë rrugë.
Ndërsa ambasadori spanjoll i ka mëshuar idesë për një turizëm të qëndrueshëm, nga i cili vjen aksesi për punësim, ruajtja e traditës, mjedisit, sjell diversiteti i kulturave dhe lidhja e njerëzve.