Rama: Shqipëria do bëhet me 6 aeroporte, turistët s’vijnë në Vlorë për të shkuar në Sarandë me makinë

Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme në “Log.” se socialistët kanë në plan që Shqipëria të bëhet me 6 aeroporte. Rama tha mes tyre janë edhe ai I Korçës dhe Gjirokastrës, të cilët i cilësoi aeroporte sportive për chartera deri në 12 vende.

“Nuk ka gjë që nuk bëhet po i hyra unë për t’i bërë. Behgjet Pacolli nuk ka shans të mbyllë karrierën e tij duke lënë në rrugë aeroportin. Katër aeroporte, katër porte turistike. I katërti që do vijë më pas është ai i Shëngjinit. Nuk ka dalë kot ajo shprehja që fushatat janë poezi, qeverisja është prozë. Unë nuk jam në kushtet kur bëj programe elektorale por për plane konkrete. Afatet lidhin me gjërat që ndodhin. Nëse ti idealisht ke çdo 45 minuta një vijë bregdetare, një pikë ulje garanton që sjell turistët që janë shpenzues. Nuk vijnë ata që ndalo në Vlorë dhe nisu për Sarandë me makinë.

Aeroporti në Korçë do të jetë sportive për fluturime sportive dhe chartera deri në 12 vende, Aeroporti i Gjirokastrës është një investim modest. Aeroportet Ndërkombëtare me fluturime komerciale të vazhdueshme janë tjetër. Vlora, Kukësi, Tirana do jenë aeroporte 12 muaj. Saranda do jetë aeroport i sezonit. Por sezoni do vazhdojë të shtrihet.

Ka disa resorte të rëndësishme që janë spektakël që jemi duke i trajtuar me statusin e investitorit strategjik. Nëse do ketë edhe kazino do të shtrihet sezoni për ata që shkojnë për të lënë lekët. Aeroporti i Vlorës është në proces të nënshkrimit të kontratës. Porti i Sarandës është duke u ndërtuar. Gara për aeroportin e Vlorës ka qenë një torturë e vërtetë”, tha Rama.