PS ruan bastionin e Vlorës, “siguron” edhe Ramën/ PD ‘i rrëmben’ mandatin LSI

Thuajse 10 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ku të gjithë shqiptarët do të drejtohen në kutitë e votimit për të zgjedhur se cila parti dhe drejtues duhet t’i udhëheqë për 4 vitet e ardhshme.

Në sondazhin e katërt të IPSOS-Top Channel, rezulton se në qarkun e Vlorës do të triumfojë PS me 60.1% dhe do të marrë 8 mandate.

Ndërsa PD do të marrë 4 mandate dhe LSI, pavarësisht thirrjeve të forta të presidentit Meta se do të qëndrojë në këtë qark deri më 26 prill nuk ka bërë asnjë ndryshim në mendjen e qytetarëve të Vlorës sa i përket partisë që do i japin votën.

Nëse bëhet një krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, PS nuk ka asnjë ndryshim, ndërsa PD i shtohet një mandat që i hiqet LSI. Kujtojmë se LSI ka pasur zëra për përçarje mes Luan Ramës që është i pari në listë dhe vetë drejtuesve të partisë.

Ndërsa rezultati i sondazhit tregon se Edi Rama, i cili renditet i teti në listën e PS do të marrë mandat. Nuk kanë përplasjet dhe reagimet e ashpra të Metës, i cili tregonte se pse beteja politike do të jetë e përqenduar në qytetin e Vlorës, ku sipas tij ka pasur një provokim të rëndë për vjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri.

“Për ata që nuk e dinë historinë e kësaj vepre, kandidati Ilir Meta, kandidati sapo zyrtarizuar i LSI-së në Qarkun e Vlorës, Damiani siç pat premtuar e ka ftuar të jetë sot meqë erdhëm dhe ne për të inspektuar punimet, por ai nuk del ditën”, thoshte Rama për Metën nga qyteti i Vlorës.

Ndërsa Presidenti, në përgjigjen të tij: “Unë kam qenë dhe do të jem 24/24 në Vlorë deri më 26 prill. Zoti Rama, zoti Tërmet dhe Qamet janë të ftuar të jenë me mua e ju për të bërë gjithçka transparente, nuk ka shans të preket vota e një vlonjati, kaq po i them Ramës, atij Tërmetit e Qametit dhe Vlora do votojë për vajzat e saj, për të gjithë ata që nuk lejojnë që të zëvendësojë të rinjtë e të rejat e saj me bangladeshasit. Këtu jemi deri me 26 prill, ma thërrisni Edi Ramën.”

Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), një nga kompanitë lider të sondazheve në botë, sonte në emisionin “Open” paraqet sondazhin e katërt të opinionit publik në Shqipëri mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nga data 8 deri më 12 prill, janë intervistuar 1004 votues në qarkun e Vlorës dhe 1003 votues në qarkun e Shkodrës, ndërsa 90% e intervistave janë bërë përmes telefonit dhe 10% përmes panelit online të IPSOS.