Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i madh” Milto Gurmën: Krahasohej vetëm me Beckenbauer-in

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh” një prej ikonave të futbollit të Sarandës, Luftëtarit, Shkëndisë së kohëve të arta dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Miltiadh Gurma.

Meta për këtë vlerësim shkruan në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, se ka pasur fatin ta shikojë virtuozitetin në fushën e blertë të këtij futbollisti të nivelit ndërkombëtar, që për talentin e jashtëzakonshëm, krahasohej vetëm me lojtarin e madh gjerman Franz Beckenbauer

“Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe personalitetin e gjithanshëm në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të shkëlqyera si lojtar dhe trajner me rezultate të larta, kisha kënaqësinë e veçantë të çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” një prej ikonave të futbollit të Sarandës, Luftëtarit, Shkëndisë së kohëve të arta dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Miltiadh Gurma.

Kam pasur fatin ta shoh virtuozitetin në fushën e blertë të këtij futbollisti të nivelit ndërkombëtar, që për talentin e jashtëzakonshëm, krahasohej vetëm me lojtarin e madh gjerman Franz Beckenbauer.

Saranda, Gjirokastra dhe e gjithë Shqipëria janë krenuar me të drejtë gjithmonë me Miltiadh Gurmën, shembull frymëzimi dhe model suksesi, që duhet ndjekur nga brezat e rinj”, shprehet Presidenti i Republikës, Ilir Meta teksa publikon dhe një foto me ish-futbollistin Miltiadh Gurma.