“Kam informacione për…”- Gjiknuri flet për vizitat e Metës në Vlorë: Presidenca është kthyer në një zgjatim gri të LSI-së

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, i renditur i shtati në listën e qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri tha se ka informacione se me kë takohet Presidenti i Republikës, Ilir Meta kur shkon në Vlorë.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, Gjiknuri theksoi se Presidenca është kthyer në një zgjatim gri të LSI-së dhe në një shërbim informativ të kësaj partie dhe në një lloj kioske Universiteti që ka zhvlerësuar edhe titujt e dekoratave.

“Kam informacion për shumë gjëra megjithatë nuk dua të përdor mediet për të hedhur fakte apo të ndaj informacione të tilla. Të gjithë e dinë se çfarë bëhet në Vlorë dhe kë takon Presidenti dhe çfarë synimesh ka.

Ilir Meta nuk përfaqëson më Presidencën. Unë e respektoj Presidencën, por do të sillem si të gjithë vlonjatët e tjerë për Vlorën.

Presidenca është kthyer në një zgjatim gri të LSI-së dhe në një shërbim informativ të kësaj partie dhe në një lloj kioske universiteti alla Kristal që jep dekorata në funksion të zgjedhjeve dhe ka zhvlerësuar titujt e dekoratave.

Nuk merrem me depozitime dhe kallëzime, kam informacione dhe jo fakte. Jam i bindur që organet do të bëjnë punën e tyre dhe ne si parti do të monitorojmë çdo lëvizje. Edhe ndonjë tentativë për korruptim ne do ta monitorojmë mirë.

Unë personalisht refuzoj retorikën e dhunës, dikujt mund t’i duket dobësi, por mendoj se populli shqiptar është lodhur nga retorika e sharjes.

Unë një gjë i them të gjithëve lëreni atë në dëshpërimin e  tij dhe fokusohemi te e ardhmja jonë që ka sfidat e saj”, deklaroi Gjiknuri.