Vlorë, Gjiknuri takim me peshkatarët: Subvencionimi i karburantit, angazhim i përmbushur
Kordinatori politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, shoqëruar nga deputeti aktual Edmond Leka dhe kandidati për deputet Anduel Tahiraj, zhvilluan një takim me peshkatarët e zonës së Radhimës dhe Orikumit. Gjiknuri tha se tashmë kjo skuadër vjen në zonë me krenarinë që natyrshëm rrjedh nga përkujdesja që ka pasur qeveria për sektorin e peshkimit, vëmendje e cila do të jetë e shtuar gjatë mandatit të tretë qeverisës.
“Mos e shikoni zhvilllimin e Vlorës të lidhur ngushtë vetëm me miniportin apo me detin, pasi nëse zhvillohet ky qytet dhe zhvillohet kjo hapësirë turistike, automatikisht do të jetë dhe zhvillim për ju. Kemi realizuar disa gjëra sa i përket sektorit të turizmit, siç ishte çështja e rimbursimit të karburantit, por mbi të gjitha për Vlorën ka një projekt të madh. Një Vlorë e zhvilluar turistike, padiskutim do të sjellë garanci për të gjithë punën tuaj, të lidhur me detin dhe ekonimë detare”, u shpreh Gjiknuri.
Investimet janë shtrirë edhe në sektorë të tjerë sikurse është energjitika, sipas Gjiknurit projektet e nisura në energjitike do të finalizohen me vendosmërinë e qeverisë.
“Nëse projekti i nisur për investimin në rrjetin energjitik, nuk do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër në bashkëpunim me qeverinë italine sikurse ishte parashikuar, kemi zotimin e Kryemistrit se shumë shpejt projekti do të finalizohet gjithësesi me të ardhurat e Buxhetit të Shtetit“, premtoi Gjiknuri.
Kandidati për deputet Anduel Tahiraj tha se skuadra fituese e 25 Prillit është garanci se punët e nisura do të vijojnë të përmirësojnë jetën e punonjësve të peshkimit dhe familjeve të tyre.
“Jemi këtu jo vetëm për të ju thënë se ne jemi alternativë më e mirë dhe e besueshme por edhe për të dëgjuar të gjitha problematikat që keni jo vetëm në sektorin ku punoni por edhe në zonë. Ne do të vijojmë intensivisht komunikimin me ju edhe në fshatra për të qenë me afër zgjidhjeve të cilat mund të ofrohen për momentin dhe çfarë mbetet për tu zgjidhur pas 25 Prillit. Këto do ti bëjmë bashkë, sepse kjo nuk është çështje flamujsh, është çështje besimi”, insistoi Tahiraj.
Gjatë këtij takimi peshkatarët e zonës së Orikumit dhe Radhimës, parashtuan problematikat e sektorit të tyre, zgjidhja e së cilave do të jetë e mundur pas 25 Prillit, me ndërtimin e portit të peshkimit dhe skemave të mbështetjes së sektorit.