“Turizmi në gjendje kritike”, Covid-19 mbylli 111 biznese në Gjirokastër gjatë 2020-tës
Një vit nga pandemia e koronavirusit, kriza e ka treguar agresivitetin e saj, sa i përket shifrave të bizneseve të mbyllura.
Ky fenomen tashmë evident në mbylljet e shumë dyqane dhe bizneseve të çregjistruara në Gjirokastër.
Pandemia e Covid-19, ka gjunjëzuar biznesin në Bashkinë e Gjirokastrës, ku për 10 muaj janë mbyllur 111 biznese, nga 895.
Një tjetër penalizim sipas Çiljeta Metaj, drejtoreshës së tatimeve në Gjirokastër është edhe ora policore që vazhdon të jetë në fuqi.
“Pandemia ka luajtur rolin e saj. Ne kemi shtyrë detyrimet në kohë për pjesën tjetër të biznesit, shpresoj që të mos përsëritet një mbyllje e dytë sepse do të ishte fatale. Jemi me 111 biznese të çrregjistura dhe pezulluara në zona të ndryshme”, tha ajo.
Kreu i dhomës së tregtisë Maksi Hoxha, shpjegon se nëse situata nuk ndryshon në pikëpyetje mbetet turizmi.
“Industria e turizmit është në gjendje shumë kritike. Jo vetëm nga pandemia, por edhe koha. Duhet patjetër të ndodhi diçka, të merren masa pasi turizmi nuk mund të përballojë edhe një tjetër vit si ky që lamë pas”, thotë ai.
Sipas Shoqatës së biznesit, në vend gjatë 2020, janë mbyllur rreth 38 mijë dyqane dhe lokale.
Gjirokastër, bizneset e mbyllura nga pandemia:
-Biznese në total – 895
-Biznese të falimentuara – 111