Tuneli i Llogorasë, garë nga e para/ Ministria e Infrastrukturës gjen mangësi tek të gjithë konkurrentët
Qeveria do të rihapë sërish garën ndërkombëtare për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë.
Gara për ndërtimin e kësaj vepre do të rihapet sërish pas përfundimit të kohës së ankimimeve nga kompanitë.
“Kemi pasur një garë ndërkombëtare me 5 pjesëmarrës, ku 3 pjesëmarrës janë nga Turqia, një pjesëmarrës është nga Shqipëria në një konsorcium me një kompani shumë të madhe egjiptiane që ka ndërtuar edhe kanalin e Suezit dhe një tjetër sërish firmë shqiptare e cila ka qenë në konsorcium me një firmë tjetër turke. Por, fatkeqësisht pas një diligjence të detajuar që është bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka rezultuar se asnjë nga pjesëmarrësit nuk përmbush kushtet sa i përket dokumentacionit ligjor dhe teknik”, tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Në garën për tunelin ku morën pjesë 5 kompani, ofertën më të ulët e kishte paraqitur kompania Gjoka Konstruksion në konsorcium me kompaninë turke Duygu me rreth 10 milionë euro më pak se vendi i dytë ndjekës.
Aktualisht, kompania shqiptare Gjoka po ndërton edhe veprën madhore të rrugës së Arbrit e cila pritet të përfundojnë plotësisht.
Ndërsa firma turke nga ana tjetër, ka një eksperiencë të madhe në ndërtimin e projekteve infrastrukturore, e specializuar në ndërtimin e tuneleve dhe superstradave. Në 6 vitet e fundit, kjo firmë ka ndërtuar disa tunele në rrugët kryesore te Turqisë.
Vlera e investimit të tunelit të Llogarasë arrin në 155 milionë euro dhe do të ketë një gjatësi prej 6 km, një vepër që do të nisë nga Ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit e deri në Urën e Palasës.