Shtohen lindjet në Sarandë, mjeku gjinekolog: Në tre muaj erdhën në jetë 50 bebe
Qyteti i Sarandës ka shënuar rritje të lindshmërisë ku përgjatë vitit që lamë pas erdhën në jetë rreth 300 foshnje duke shënuar rritje krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërkohë ambientet e maternitetit janë transformuar duke ofruar kushte më të mira, por kjo s’ka ndikuar në uljen e emigracionit të bluzave të bardha. Mjeku gjinekolog Nuredin Çapari tha se numri i lindjeve është rritur me 50 bebe më shumë gjatë 10-vjeçarit të fundit.
“Numri i lindjeve për vitin që kaloi ishte rreth 300-296 lindje, është gjithmonë e më në rritje. Në 10-vjeçarin e fundit Saranda e ka patur numrin midis 240-260 lindje”, tha mjeku gjinekolog, Nuredin Çapari.
Përgjatë 2020 janë regjistruar 296 lindje në qytetin e Sarandës, ndërsa vitet e fundit numri i lindjeve ka qenë rreth 250 lindje në vit. Mjeku gjinekolog Nuredin Çepari thotë se pavarësisht kushteve të përmirësuara të ambienteve të shërbimit, materniteti i Sarandës nuk i ka shpëtuar fenomenit të emigracionit të personelit mjekësor .
“Gjatë këtij tre mujori janë afërsisht rreth 50 lindje. Një problem i cili është jo vetëm për ne por pothuajse është rekrutimi i personelit të ri që është me pakicë për të gjithë Shqipërinë. Pothuajse mbi 50 % e personelit mjekësor të mesëm kanë ikur jashtë shteti”, tha Çapari.
Ndryshe nga vitet e kaluara ku banorët e Sarandës udhëtonin drejt Janinës apo Tiranës për të sjellë në jetë foshnja vitet e fundit materniteti i qytetit të Sarandës ka pësuar një transformim rrënjësor, pasi pranë spitalit është ndërtuar dhe godina e re e pajisur me mjetet e teknologjisë bashkëkohore.