Sezoni i ri turistik gjen Sarandën me shëtitore të re! Mbillen pisha në bulevard, qytetarët të ndarë: Duam palma
Mbjellja e pishave në shëtitoren e rikonstruktuar të qytetit bregdetar të Sarandës ka ngjallur debate në rrjetet sociale mbi përshtatjen e pemëve me klimën e qytetit.
Qytetarët janë të ndarë në pro dhe kundër pishave! Disa prej tyre mendojnë se janë më të përshtatshme palmat.
‘Më mirë do të ishte të kishte palma këtu, por ka mbaruar puna.’- tha një qytetar.
Kjo është njëlloj pishe bregdetare, pasi janë mbjellë që prej kohësh. Por mua më duket një shpenzim i panevojshme pasi qyteti ka probleme të tjera, ka nevojë për ujë 24 orë, sistemi i kanalizimeve, rrugët. Megjithatë kjo është një gjë e mirë që bëhet për Sarandën, sepse është diçka e mirë që bëhet për turizmin.’- tha një tjetër.
‘Unë do të preferoja pishë, pasi gjithë zona pisha ka. Me pisha janë. Kanë gjelbërim dhe janë rezistente.’- tha një tjetër qytetar.
Burime nga Bashkia e Sarandës thanë për Report TV se lloji i pemëve dekorative është përcaktuar nga studio projektuese. Duke marrë parasysh se palmat përballeshin me tharjen si pasojë e buburrecit të kuq, nga specialistët u mendua mbjellja e pishave si një pemë më e rezistueshme dhe me gjelbërim më të madh.
Lidhur me punimet, zyrtarët e bashkisë thanë se ato përfundojnë në fund të muajit prill dhe sezoni i ri turistik do ta gjejë Sarandën me pamje të ndryshuar.