Sarandë/ 100 punë të artit pamor dedikuar gruas, nga 100 autorë, në 100 vjet bashki

Dhuna ndaj gruas ka bashkuar në Sarandë piktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

100 krijime të tyre artistike fokusohen në një pikë mendimi se shoqëria shqiptare nuk duhet të mjaftohet me mesazhe sensibilizimi, por duhet të reagojë për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna

“Është hera e parë që një grup kaq i madh artistësh të artit pamor,nga hapësira e trojeve shqiptare,realizojnë një ekspozitë të vetme me një dedikim të vetëm: VAJZAT DHE GRATË SHQIPTARE. Destinacioni i ekspozitës së tyre,ka qenë Galeria “Art Saranda” në një ditë të veçantë,Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.

Kështu,100 krijime në pikturë e skulpturë me fokus figurën e vajzave dhe grave, si dhe personalitetin e sfidat e tyre, që nënshkruhen prej 100 autorëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, erdhën si një event shumë i veçantë, kuadruar gjithashtu në një vit të veçantë si 2021, që shënon 100 vjet qeverisje për Bashkinë e Sarandës.

Kjo u mundësua nga bashkëpunimi të jashtëzakonshëm dhe efikas me Qendrën “Tirana Art”,si dhe me praninë e 100 piktorëve të spikatur nga mbarë trojet shqiptare të cilët i falenderojmë për gatishmërinë dhe deshirën e mirë,për të na nderuar me pjesmarrjen e tyre në aktivitet.

Kjo ekspozitë ndryshon me ato të mëparshmet,pasi me frymëzim dhe me gjuhën e artit, jep mesazhe të dobishme për rolin, për figurën dhe sfidat e vajzave dhe grave në shoqërinë shqiptare,e po aq jep apelin për t’u përfshirë në mbrojtje të personalitetit të tyre,kundër dhunës.

Ekspozita “Artistët për Gruan”, e 100 krijuesve të artit pamor nga trojet shqipfolëse, do të qëndrojë e hapur në Sarandë, deri në muajin maj 2021”, thuhet në njoftimin e bashkisë Sarandë.