“Pse i preve rrugën”, drejtori i Spitalit të Sarandës dhunon ish-vjehrrën
Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt Sarandës për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj një zonje nga drejtori i spitalit të këtij qyteti. Bëhet fjalë për Adelina Lucën, e cila thotë se është dhunuar nga ish-dhëndri i saj.
Vajza e zonjës Adelina është divorcuar me ish-bashkëshortin e saj dy vjet më parë, pas një martese 10-vjeçare. Shkak është bërë një lidhje tjetër e tij, që sot është kurorëzuar në martesë. Kjo ka sjellë konflikte mes vajzës, mamasë së saj dhe të akuzuarit.
Më 27 Janar 2021, Erjon Dhroso, ish-dhëndri dhe drejtori i spitalit Sarandë, i hyn zonjës Adelina, në biznesin e saj dhe i vë duart në fyt dhe e dhunon, pasi sipas tij, zonja Adelina i kishte prerë rrugën, ose kishte fyer vajzën e tij. E dhunuara e kallëzon në polici dhe policia ia referon rastin Prokurorisë së Sarandës.
Adelina Luça: Mua më ka ndodhur një ngjarje shumë e pahijshme, shumë e rëndë. Unë jam e dhunuar nga ish-dhëndri im. Jam dhunuar brenda në punën time edhe afër saj. Pasi ai më dhunoi, unë kam shkuar në organet përkatëse në polici, kam bërë ankimin dhe kam kërkuar njëkohësisht për atë që ai pretendoi kur erdhi tek unë, të hapen kamerat e atij vendi. Arsyeja pse ai erdhi këtu dhe më tha ishte që përse i ke prerë vajzës time rrugën, ke ç’ke e ke me mua nuk e ke me vajzën time. Gjë që nuk ka ndodhur, sepse ajo rrugë që ai pretendon se unë kam prerë rrugën e vajzës së tij që është fare e vogël, është fare mirë e vërtetuar sepse ka kamera. Është rruga që unë shkoj çdo ditë për te djali im, rruga për në varreza, sepse unë kam humbur një djalë 32 vjeç arkitekt, dhe shkoj çdo ditë te im bir. Nuk e di nëse shtëpinë e ka andej, as rrugën e ka andej, përkundrazi, unë e kam bërë rrugën time se vete çdo ditë te djali im dhe as e dija fare që ajo do vinte atje. Megjithatë, kjo gjë që ai erdhi dhe më dhunoi, është tepër qesharake, nuk mund të bëj unë kur shkoj te djali im një veprim të tillë. Megjithatë, unë kam kërkuar hapjen e kamerave. E pashë atë vajzën, por s’kam bërë asnjë veprim. Dhe nëse do bëja një veprim, do hapja xhamin e makinës, do ndaloja makinën, kam ecur në rrugën time. Më mbyti, isha ulur tek puna ime, flisja dhe me gocën në atë moment, vajza e ka dëgjuar gjithë debatin, e njohu nga zëri që më dhunonte dhe bërtiste e shkreta përtej telefonit, por nuk dëgjonte. Për ato shenja dhe për atë dhunë është marrë një raport mjeko-ligjor. Dhe për atë raport mjeko-ligjor këtu jam penguar, kështu mendova unë që isha e penguar sepse kam ndenjur pasi dhashë kallëzimin në polici, më dhanë një numër telefoni të doktorit të spitalit. Ndërkohë, doktori i spitalit ka drejtor ish-dhëndrin tim sepse bëhet fjalë për drejtorin e spitalit, Erjon Dhroso. Dhe nuk më hapte telefonin. I them oficerit të policisë ‘unë po e marr në telefon doktorin dhe nuk më hap telefonin’. E mori dhe ai dhe thotë e ka të mbyllur. I them përsëri atij çunit se duhet të vizitohesha me patjetër që të bëhej ekzaminimi. I vetmi person që u interesua ishte oficeri i policisë gjyqësore që ai më thotë, ‘Adelina, ky është me Covid’. U detyrova dhe shkova në Tiranë ku atje është bërë dhe ekzaminimi i plagëve të mia. Atë mund ta vërtetojnë organet kompetente nëse ka qenë me Covid. Mua m’u tha kjo gjë dhe u nisa për në Tiranë. Bëra ekzaminim në Tiranë.
Adelina Luça i ka kërkuar prokurorit Ilir Hoxha informacion mbi aktin e dosjes së saj dhe raporti mjeko-ligjor, që është kryer në Tiranë dhe jo në Sarandë. Adelina ka pretendime përse vepra penale nuk është regjistruar si dhunë në familje, por si plagosje e lehtë me dashje.
Adelina Luça: Kam shkuar vetë te z.prokuror Ilir Hoxha, i cili ka çështjen time. I thashë unë kam ardhur këtu sepse kërkoj drejtësi nga ju dhe kam besim se ju do veproni në mënyrë shumë të drejtë për këtë çështje. Më thotë: E vini në dyshim? I thashë nuk e vë në dyshim. Më thotë: Flisni emocionalisht? I thashë nuk ka lidhje. Ky ka qenë kontakti i parë me prokurorin, dhe ika. Kur dola jashtë, më thotë policja që qe tek dera, herë tjetër mos hyr kështu se mua më bërtiti shefi. Unë ju drejtova nëpërmjet kërkesave në rrugë zyrtare. I kam kërkuar të më njohi me të gjithë dosjen dhe deri ku ka arritur dosja në hetim. Ajo është e regjistruar si çështje penale, ku atje thuhet plagosje e lehtë me dashje. Kam kërkuar të cilësohet dhunë në familje, pavarësisht sepse unë nuk jam sot vjehrra e atij, unë kam qenë vjehrra e atij. Dhe motivi është familja, është ky motiv. Janë dy dëshmitarë që na kanë ndarë të dyve sepse pasi më dhunoi brenda në dyqanin tim, edhe jashtë ndodhi e njëjta gjë. Unë për z.prokuror kam pritur me shumë durim, me shumë qetësi edhe përgjigjet e tij, që asnjëra nga ato përgjigje mua nuk më bind. Kam rezervat e mia të dyshoj se kjo çështje do shkojë drejt shuarjes. Nuk e di çfarë mase është marrë dhe çfarë mase duhet të merret karshi këtij personi që sot drejton një institucion shtetëror, është drejtor i një spitali, nuk e di se çfarë mase duhet të merret karshi këtij personi që ka dhunuar një femër. Dhe nuk e di në ka një tjetër urdhër që ai duhet të jetë me detyrim paraqitje dhe ky urdhër në qoftë se ky do kishte detyrim paraqitje duhet të bëhej me gjykatë. Më ka dhënë disa sqarime sipërfaqësore ku më tregon që këto akte që unë kam aty është sekret hetimor. Unë për këtë gjë kam ardhur tek juve sepse dua që kjo çështje mos të ngelet në sirtaret e prokurorit, të ngelet në gjykatë. Kam besim sepse do veprohet në mënyrën më të drejtë.