Profili i Anila Denaj: Nga përfaqësimi i Sarandës te drejtimi dinjitoz i ministrisë së Financave e Ekonomisë
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj, është një nga kandidatët që do mbulojë e përfaqësojë Sarandën, Delvinën, Finiqin e Konispolit në listë e qarkut Vlorë për Partinë Socialiste.
Me performancën e saj dinjitoze dhe të sukseshme në krye të një prej ministrive më të rëndësishme, Znj. Denaj ka arritur të fitojë besimin e kryeministrit Edi Rama, për ta bërë pjesë jo vetëm të kabinetit, por dhe të ekipit të PS që do garojë në zgjedhjet e 25 prillit.
Anila Denaj është caktuar në vendin e katërt në listën e qarkut Vlorë dhe prej muajsh ka qenë në Sarandë duke zhvilluar takime, fituar respektin e duke u dhënë mbështetje bizneseve vendase
Të premte ajo është prezantuar përpara Asamblesë së PS Sarandë, ku nuk e fshehu kënqësinë për të përfaqësuar këtë qytet.
“Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Sarandës.
E nderuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi dhe e skuadrës që në 25 Prill do të shënojë rezultatin rekord në Qarkun e Vlorës për fitoren e 9 mandateve”, nënvizon ministrja.
Por kush është Anila Denaj? Më poshtë CV-ja e saj e pasur.
Znj. Anila Denaj ka lindur në Tiranë, më 18 shtator 1973. Ajo ka një djalë, Aleksandër Kume.Znj. Denaj është diplomuar për Menaxhim Financiar dhe Bankar në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës dhe ka më shumë se 22 vjet përvojë pune.
Në shtator 2018, znj. Denaj u emërua Drejtore e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) në Shqipëri. Më herët, znj. Denaj ka qenë anëtare e Bordit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së, anëtare e Bordit të Fondit Shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe anëtare e Bordit Mbikëqyrës së Kompanisë së Sigurimeve INSIG SH.A.
Për një periudhë tre vjeçare, znj. Denaj ka qenë Anëtare e Bordit të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar në Shqipëri (A.K.E.P). Përgjatë periudhës tetor 2013 – janar 2015 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, me fokus kryesor mbikëqyrjen e operacioneve në Departamentin e Financave, Legjislacionit dhe Menaxhimit të Pronës Shtetërore, në menaxhimin e teknologjisë së informacionit, Departamentit të Administratës dhe të Burimeve Njerëzore.
Znj. Denaj ka punuar për 12 vjet në ProCredit Holding Gmbh/ IPC Consulting Gmbh, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në bankat e Grupit ProCredit në: Salvador, Bolivi, Ekuador, Rumani dhe Mozambik. Eksperiencën e saj në këtë fushë e ka nisur në bankën FEFAD, më vonë të quajtur ProCredit. Në këtë aktivitet, ajo ka mbajtur pozicionin Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e bankës.
Znj. Denaj ka bashkëpunuar me Shkollën e Administratës Publike (ASPA) që nga viti 2014, si lektore me kohë të pjesshme në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore.
/Sarandanews.com/