“Nga Vermoshi në Konispol, t’i tregojmë botës si është Shqipëria”, video që po bën xhiron e rrjetit

“Le t’i tregojmë botës se si është në të vërtetë Shqipëria” – është kjo sfida më e bukur virtuale e krijuar nga Erald Halili, i cili është shumë i njohur në rrjetet sociale për fotot dhe videot e veçanta.

Dhe mund ta themi pa asnjë dyshim se deri tani po e përmbush shumë mirë qëllimin e tij. Me siguri edhe ju e keni parë videon e Eraldit që është bërë videoja më virale e dy ditëve të fundit.

Kjo video i fton të gjithë në një udhëtim me dron nëpër të gjithë skajet e Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol, për të na kujtuar se sa e bukur është vendi ynë dhe sa shumë destinacione kemi për të eksploruar këtu. Në profilin e Eraldit në Instagram deri tani ajo numëron mbi 635 mijë klikime dhe mijëra komente.

Aq i madh ka qenë impakti i videos saqë vetë Mark Zuckerberg i ka shkruar shqiptarit rreth saj në Instagram. Eraldi ka ndarë me ndjekësit e tij mesazhin në të cilin Zuckenberg i shkruan:

“Përshëndetje Z.Erald Halili. Çarë po ndodh në Shqipëri në këto momente? Unë kam parë postimin tënd kudo në Instagram Stories. Urime”, shkruan Zuckerberg dhe përgëzimin e shoqëron me një emoji duartrokitjeje.