Mirela Kumbaro: Në Gjirokastër kam përballë vetëm popullin
Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shprehur besimin se PS do të marrë mandatin e tretë pas bilancit të punëve të mira që janë bërë.
E ftuar në studion e ABC me Juli Xhokaxhi, Kumbaro foli për betejën e saj në Gjirokastër, ndërsa tha se ka një lidhje të veçantë me këtë zonë përtej mandatit që kërkon, pasi është vendlindja e saj.
“Kam një lidhje përtej detyrës dhe mandatit me Gjirokastrën, është vendlindja ime. Sot kemi hapur kantierin në qendrën historike të Përmetit. Janë punë që bëhen zinxhirë. Probleme të tjera vazhdojnë sidomos në zonat rurale. Përmeti dhe Këlcyra janë në buzë të Vjosës dhe nuk kishin ujësjellës për 29 vite. Këto kantiere janë të përditshme dhe vazhdojnë. Nuk kanë mbaruar të gjitha.
Arsyeja pse janë larguar ka qenë mungesa e infrastrukturës, rruga e Zagorisë mbetet ende e pa asfaltuar. Janë disa fshatra dhe jo të gjithë kanë pasur ujësjellës. Kjo ka sjellë largime. Rrugën e Zagorisë e kemi në projekt, por e shoh të vështirë për tu buxhetuar brenda 2021 sepse pandemia ka ndryshuar orientimin e buxhetit”, tha ajo.
Më tej, Kumbaro shtoi se ata kanë treguar modele të mira dhe për rrjedhojë kërkojnë një tjetër mandat pas tetë vitesh në qeveri.
“Ju bëtë një histori duke thënë se asnjë forcë nuk ka marrë më shumë se dy mandate. Por kjo i takon të shkuarës dhe nuk është ligj. Unë mendoj se një forcë politike e merr mandatin e radhës jo si aritmetikë. Nëse ka një bilanc të punëve të bëra pozitive, por nëse ka mbi tryezë mjaftueshëm projekte, punë dhe argumenta për të thënë çfarë ka bërë dhe çfarë do bëjë. Modelet ne i kemi treguar që kanë qenë të suksesshme. Kemi ndërtuar një Gjirokastër që është sot destinacioni kryesor i turizmit. Pse të mos na e japin ne mandatin e tretë ku treguam se kemi interes, vizion ndaj krahinës”, tha Kumbaro.
E pyetur për përballjen me Tritan Shehun e Partisë Demokratike, ish-ministrja tha se përballë ka vetëm popullin.
“Unë nuk kam përballë atë njeri që nuk ka ndërtuar një gurë ai dhe forca e tij. Unë përballë kam zgjedhësit. Kam katër vjet që mund të numërohen me gishtat e njërës dorë javët që nuk kam qenë. Nuk ka fshat që unë mos të kem takuar. Përballë kam vetëm popullin, ata ma kanë dhënë votën. Nuk kam asnjë tjetër përballë”, tha Kumbaro, ndërsa shtoi se së shpejti do të bëhet publik edhe programi i PS.
“Ju e keni dërguar kryetarin e PS, ne jemi një skuadër. Ne bashkë me skuadrën do të bëjmë të ditur edhe programin që nuk është i panjohur. Nuk kemi asgjë të paditur se kemi tetë vjet në terren”, tha ish-ministrja.