Harrojnë sulmet, LSI e Vlorës merr në mbrojtje Dritan Lelin

Në gjashtë vitet e tij në krye të Bashkisë së Vlorës, kryebashkiaku Dritan Leli është shoqëruar vijimësisht nga akuzat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të qytetit bregdetar. Në deklarimet publike, përfaqësuesit e partive opozitare e akuzonin Lelin si të paaftë për të kryer detyrën për të cilën ishte votuar nga zgjedhësit. Por refuzimi që Leli i bëri ftesës së Kryeministrit Rama për përfshirjen në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës ka sjellë edhe ndryshimin e qëndrimeve.

Teksa kryebashkiaku ka humbur besimin dhe mbështetjen e socialistëve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvijes Socialiste për Integrim kanë nisur fushatën “SotUnëJamDritanLeli” në rrjetet sociale duke marrë në mbrojtje dhe bërë avokatinë Lelit. Ish-deputeti i LSI-së Flamur Çelaj shkruan “Mbase kjo ishte arsyeja që nuk isha dakord kur u vendos Kryetar i Bashkisë për herë të parë, pasi e dija fundin e kësaj historie që do përfundonte pikërisht kështu siç po ndodh. Sot, unë jam Dritan Leli! I bashkohem Xhili Mustafaraj si qytetar i Vlorës nuk mund të pranoj denigrimin politik të qytetarit të parë të Vlorës. Vlorën e sheh gjithë Shqipëria dhe cënimi i figurës së Kryetarit të Bashkisë është cënim i autoritetit të Vlorës”.

Nuk kanë munguar komentet e ndjekësve që u kujtojnë funksionarëve të LSI sulmet dhe denigrimet që ata vet i kanë bërë Dritan Lelit gjatë viteve kur ai shërben si kryebashkiak. Rrjedhimisht, lindin disa pyetje: A kanë ndryshuar mendim opozitarët për punën e Dritan Lelit? A po marrin në mbrojtje Dritan Lelin thjesht për diversion politik duke kapërdirë edhe sulmet që kanë bërë ndaj tij? Apo mos Dritan Leli tashmë pasi ka humbur mbështetjen dhe ka zhgënjyer socialistët ka gjetur një shtëpi të re politike në krahët e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit?