Riinfektime në Gjirokastër/ Eidemiologët dyshojnë për një variant të ri covid
Në Gjirokastër është konfirmuar sot rasti i parë i riinfektuar me Covid 19. Bëhet fjalë për një qytetar të Përmetit, pacient i dializës që ishte infektuar dhe e kishte kaluar Covidin dy muaj më parë.
Epidemiologët janë të shqetësuar se kemi të bëjmë me një mutacion të ri të virusit çka vlen të konfirmohet edhe prej testimit PCR që është nisur për në Tiranë.
“Sot kemi rikonfirmuar pozitiv një pacient nga Përmeti. Shërbimi epidemiologjik atje na siguron se pacienti e ka kaluar Covidin në muajin Nëntor ndërsa sot pas simptomave testi i shpejtë i rezultoi pozitiv. Kjo rrit shqetësimin që infektimi të jetë i lidhur me një mutacion të mundshëm të virusit”
Ndërkaq numri i infektimeve në Gjirokastër dhe rrethina është 3-fishuar në raport me fillimin e këtij viti. Të infektuarit në masën dërmuese janë mosha të reja dhe vatrat kryesore lidhen me institucionet arsimore në Gjirokastër, Libohovë dhe Dropull. Baret dhe restorantet dhe prania e shtuar e qytetarëve brenda tyre duke neglizhuar masat është një tjetër arsye për situatën. Vetëm sot në Gjirokastër u kryen 75 tamponë dhe një numër testesh të shpejta ndërsa frika e përhapjes së një varianti të ri të virusit është prezente.
“ Të infektuarit janë të rinj dhe kemi gati 25-30 raste në ditë krahasimimisht me 3-4 raste që kishin dy javë më parë. Shkollat, gjimnazet por edhe ato 9-vjeçare kanë numrin më të madh të të infektuarve. Kemi raste në qytet në Dropull 4 raste të rinj sot dhe në Libohovë plot 13 raste. Lazarati është një njësi që e ka fshehur më së shumti infektimin. Atje ka shumë raste që nuk janë paraqitur pranë mjekut të familjes por janë përpjekur të vetë trajtohen çka e vështirëson ndihmën dhe trajtimin.”
Vetëm në fshatin Lazarat ka aktualisht mbi 100 raste aktive ndërsa shërbimi epidemiologjik nuk është pranuar të kryejë testime në shumë banesa.
Nëse konfirmohet prania e një mutacioni të virusit pritet që edhe raste të tjera të konfirmohen pas gjurmimit të vatrës së parë.