Kelmend Balili kërkon lirimin nga qelia për shkak të kushteve shëndetësore! Gjykata e Elbasanit: T’i bëhet ekspertizë mjekësore
Pesë muaj pasi u dënua me 10 vite burg si pjesë e grupit kriminal që trafikonte drogë mes Shqipërisë e Greqisë, Kelmend Balili kërkon lirinë.
Ai ka depozituar kërkesë në gjykatën e Elbasanit e cila ka juridiskion burgun e Peqinit ku pretendon se qëndrimi në qeli i rrezikon jetën për shkak të kushteve të rënduara shëndetësore.
Prokuroria e Elbasanit palë në këtë proces ka shprehur qëndrimin kundër, duke e lënë vlerësimin e kërkesës në çmim të gjykatës.
Ndërsa gjykata ka kërkuar një ekspertizë mjeko-ligjore për të vërtetuar nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e Balilit.
Balili u dënua tetorin e vitit të shkuar ndërsa 10 vite burg i kanë mbetur në fuqi dhe nga gjykata e Apelit. Pak javë më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi konfiskimin e pasurive të tij, ku 40% e tyre do ‘i kalojnë në pronësi të shtetit. Mes pasurive të sekuestruara ishte edhe “Santa Quaranta”, resorti në qytetin e Sarandës, biznese dhe 16 apartamente nga 42.5 m2 deri në 91 m2.
Por kush është Klement Balili? Ai ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja. Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit.
Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare.