Gjirokastra, vatër e rrezikshme infeksioni, shefi i Epidemiologjisë: Po preken moshat e reja

Gjirokastra po kthehet në një vatër të rrezikshme të përhapjes së COVID! Arenc Brahimi, shef i epidemiologjisë ka deklaruar për ABC se në tre ditët e fundit është vënë re një shtimi i rasteve në këtë qytet.

Brahimi u shpreh rastet e reja janë në disa institucione, veçanërisht në moshë të re pasi sipas tij frekuentojnë lokale ku nuk respektohen masat. Ai tha se bankat janë ato institucione që respektojnë me rigorizitet masat ndërkohë që të tjerët lënë për të dëshiruar. Ndërsa veçoi edhe faktin se tashmë qytetarët lëvizin masivisht pa maska.

“Nuk mund të them se Gjirokastra eshte zone e nxehte. Këto tre ditët e fundit kemi pasur shtim të rasteve që nuk i kanë kaluar 20-25 raste në ditë, sidomos në institucione në shkolla dhe institucione të tjera. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e tjera shëndetësore.

Nuk e them dot që nuk respektohen masat por rastet e reja janë më shumë  në moshë të reja sidomos këto që frekuentojnë lokalet ku nuk respektohen masat. Po të shikosh, bankat janë ato që respektojnë me rigorizitet masat të tjerët lënë për të dëshiruar. Por edhe po të shohësh në rrugë ka persona që ecin pa maska”, u shpreh ai.

Një ditë më parë në Gjirokastër u shënuan 16 raste të reja me COVID. Aktualisht ky qytet numëron 631 raste aktive të konfirmuara pozitive me koronavirus.