Distanca Tiranë-Sarandë vetëm 3 orë/ Punime intensive në aksin e Kardhiqit
Kryeministri Edi Rama informoi sot se “puna në të gjithë aksin e Kardhiqit vazhdon edhe në të gjitha pikat ka avancim të rëndësishëm të punimeve”.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Sarandë, Rama e cilësoi një vepër të rëndësishme dhe me impakt strategjik edhe për Sarandën.
Rruga Kardhiq – Delvinë është një nga akset me prioritare ku puna ka vijuar intensivisht dhe që shkurton me 3 orë kohë nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm turizmit.
“Keni duruar shumë vite për atë rrugë sepse është premtuar pafundësisht dhe është vonuar pafundësisht. Është inauguruar nuk e di se sa herë po aq pafundësisht dhe kurrë nuk është marrë seriozisht. Puna vazhdon intensivisht dhe sigurisht në afat do arrijmë të përfundojmë edhe atë vepër pasi është shumë strategjike jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë këtë perimetër fantastik mes pikave që janë të njohura si Saranda, Gjirokastra, Vlora, dhe kthimin e kësaj zone në një park natyror tematik ku me zhvillimin e agroturizmit, me zhvillimin e bujtinave, më zhvillimin e aktiviteteve që do stimulojnë edhe rininë për ta përfshirë në të tilla procese transformuese, do të bëhet shumë atraktive”, tha Rama.