DETAJET nga ekzekutimi mafioz i 33-vjeçarit nga Tepelena në Islandë, deri tani 8 të arrestuar
Detaje të reja janë zbuluar për ekzekutimin e shqiptarit, Armando Beqiri në Islandë. Mediat vendase bëjnë me dije se policia në Reikjavik ka arrestuar 4 persona gjatë 24 orëve të fundit. Por në pranga më herët kanë rënë dhe 4 persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e së shtunës.
Sipas medias DV, një burrë rreth 40 vjeç nga Lituania është i arrestuari i parë dhe për të gjykata ka vendosur një masë sigurie, 4 ditë arrest në burg, pasi dyshohet se është autori i krimit.
Ndërkohë bëhet me dije se tre persona u arrestuan në operacionet e një njësie speciale të Policisë. Kundër këtyre të arrestuarve gjykata ka vendosur masën e sigurisë, 1 javë arrest në burg.
Po ashtu mediat përmendin se mes të arrestuarve është dhe Anton Kristi, por avokati i tij ka mohuar që ai të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.
Armando Beqiri prej kohësh jetonte në Islandë dhe ishte integruar shumë mirë me jetën në këtë vend. Shkaqet e vrasjes nuk janë të qarta, dyshimet janë se mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave, megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.
Kush ishte Armando Beqiri
Pak pas mesnate, Armando Beqiri parkoi makinën e tij në garazh dhe iu drejtua shtëpisë ku banonte, kur u ekzekutua me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në Rauðagerði, në Reikjavik të Islandës.
Beqiri, i cili të martën do të kishte mbushur 33 vjeç ishte me origjinë nga Tepelena dhe jetonte në Islandë që prej 2014-s. Atje kishte mësuar gjuhën, ishte njohur me një grua islandeze dhe ishte martuar. Ata kishin një djalë 15 muajsh dhe prisnin të bëheshin sërish prindër pas pak muajsh.
Shqiptari, sipas asaj që raportojnë mediat vendase, ishte integruar shumë mirë në Islandë. Ai mësohet se ishte edhe pronari i një biznesi që merrej me sigurinë në Gerðarinn, ndërsa gëzonte edhe nënshtetësinë islandeze. Krenar për arritjet, Beqiri ishte fans i zjarrtë i kombëtares islandeze, ndërsa edhe kishte votuar për herë të parë në këtë shtet.
Shkaqet e vrasjes nuk janë të qarta, dyshimet janë se mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave, megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë. Deri më tani në pranga janë vënë 4 persona. Si autor i dyshuar i ngjarjes është një lituanez.
33-vjeçari kishte miq të shumtë, e kjo mund të dallohet edhe në rrjetet sociale, ku të shumtë janë ata që shprehin dhimbjen për humbjen e tij.
Një prej miqve të Beqirit, gjithashtu shqiptar, ndau edhe një video të Beqirit, teksa pinin kafe bashkë. “Do më mungosh miku im, do jesh gjithmonë në zemrën time. Nuk do t’i harroj kurrë momentet që kemi kaluar bashkë. Pushofsh në paqe”, shkruan ai.