Denaj ftesë sipërmarrjes shqiptare në Greqi: Nisma të përbashkëta për të rritur investimet në Shqipëri

Qeveria shqiptare ka punuar intensivisht për realizimin e objektivave në lehtësimin e tregtisë dhe integrimin rajonal mes vendeve.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në një takim online me anëtarët e Dhomës së Tregtarëve të Athinës, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ministri i Zhvillimit dhe Investimeve, Adonis Georgiadis dhe presidenti i Dhomës së Tregtisë së Athinës (E.E.A) Janis Chatzitheodosiou.

Ministrja Denaj në fjalën e saj në këtë takim vlerësoi punën e tyre si sipërmarrës dhe angazhimin e vazhdueshëm me vendin e origjinës dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në shtëpinë e tyre të sotme.

“Në kushtet në të cilat ndodhemi, diskutimet mbi ecurinë e bizneseve shqiptare në Shqipëri dhe jashtë territorit të vendit janë me një rëndësi të veçantë për ekonominë, sidomos për programet e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë”, tha Denaj, duke i konsideruar sipërmarrësit shqiptarë në Greqi një faktor të rëndësishëm në të dy anët e kufirit dhe faktor kyç i bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Ministrja Denaj tha se “qeveria shqiptare padyshim mirëpret çdo investim që buron nga ju si sipërmarrës, përfaqësues dhe kolegë të sipërmarrjes greke në Shqipëri”.

“Burimi kryesor për zhvillimin e ekonomive tona kombëtare dhe rajonale është komuniteti i biznesit dhe me këtë qëllim kemi shndërruar në prioritet themelor promovimin dhe nxitjen e një kulture sipërmarrëse, – u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë duke shtuar, se, – objektivi ynë mbetet eliminimi i barrierave jotarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijim”.

Bashkëpunimi ekonomik me vendin fqinj është në nivele të larta, ku eksportet dhe importet nga vendet respektive zënë një vend të rëndësishëm.