Bujar Leskaj dhe Hariz Mema njihem me problemet e turizmit në Sarandë: Ja shqetësimet e ngritura
Ditën e sotme, Drejtuesi Politik i Qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj dhe Kryetari i Degës Sarandë, Hariz Mema, kanë zhvilluar një takim me Bordin e Turizmit.
Shqetësimet dhe problematikat e shtruara nga ky bord ishin të shumta dhe thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Disa nga problematikat e shprehura nga ana e bordit në takimin e sotëm ishin:
– Mungesa e një plani korrekt për zhvillimin e turizmit.
– Trafiku i rënduar në qytet gjatë muajve të verës. Problem i cili ka vite që nuk është zgjidhur dhe kërkon një angazhim më të madh.
– Vendet e parkimit janë një shqetësim serioz si për bizneset ashtu dhe për pushuesit që vizitojnë qytetin.
– Pastrimi i qytetit, problem i pazgjidhshëm që prish dhe imazhin e qytetit.
– Mungesa e ujit në pikun e sezonit turistik është një shqetësim që bizneseve prej vitesh iu është kthyer në një “dhimbje koke”.
– Kanalizimet dhe ujërat e zeza problem që lidhet drejt për së drejti me imazhin e Sarandës dhe Ksamilit.
– Shqetësim shumë i madh për bizneset janë edhe grupet e Tatimeve, të cilat haptazi krijojnë “bezdisje” në pikun e sezonit turistik.
– Tregu informal, që prish imazhin e Sarandës dhe Ksamilit.
– Mungesa e një zyre informacioni për turistët e huaj dhe jo vetëm.
– Mungesa e një zyre ligjore që ofron më tepër siguri për pushuesit.
– Mungesa e një linje detare Brindisi-Sarandë, e cila do të “thithte” shumë turistë italianë gjatë verës.
– Niveli i shërbimit, që zgjidhet me hapjen e disa shkollave profesionale, të cilat do të kualifikonin punonjësit e sektorit të turizmit.
– Hapja e Rrugës së 6-të si dhe unaza e madhe Sarandë – Çukë – Metoq – Gjashtë – Marinë- Sarandë, që do i jepnin një frymëmarrje trafikut dhe qytetit.