Blu Box instalohet në Sarandë, kontroll satelitor i vendndodhjes së anijeve të peshkimit

Në portin e peshkimit në Sarandë është kryer me sukses, instalimi për herë të parë i pajisjeve të lokalizimit satelitor të anijeve të peshkimit, Blu Box që kryejnë menaxhim dhe kontrollin satelitor të vendndodhjes së anijeve.

Lajmin e ka dhënë deputeti i zonës Alket Hyseni, përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan:

“Instalohen paisjet e lokalizimit satelitor Blu Box në Portin e Sarandës për 13 anije peshkimi.

Modernizimi i sektorit të peshkimit”, nënvizon Hyseni.

Sistemi “Blu Box” kontribuon në modernizimin e hapësirës ujore me një teknologji të zhvilluar e të sigurt, që sjell performancë të lartë të cilësisë në menaxhimin e burimeve të peshkimit.

“Blu Box”, ka si qëllim rritjen e nivelit të sigurisë përsa i përket anijeve të peshkimit në rast rreziku, si dhe ruajtjen e burimeve të peshkimit.

Kjo është një risi tjetër mbështetëse në sektorin e peshkimit, krahas zerimit të TVSH-së,  për të gjitha elementet që i duhen peshkimit, ndërsa vijon deri në fund të muajit janar aplikimi në skemat e mbështetjes me grante nga BE për rinovimin e anijeve të peshkimit dhe materialeve bazë të këtij sektori. /Sarandanews.com/