Rruga e shembur në Borsh, Rama merr në mbrojtje Salillarin: Një çarje, gjueti shtrigash
Kryeministri Edi Rama ka komentuar dëmtimin e rrugës në Borsh, ku u harxhuan 13.7 milionë euro për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës nga kompania Sallilari, por vetëm një vit më pas, asfalti u ça dhe rruga u bllokua.
Rama tha se nuk ka bllokim por vetëm një çarje. “Nuk ka bllokim të rrugës në Borsh, ka një çarje”-tha ai.
Rama tha se rruga edhe mund të jetë shembur për fajin e kompanisë, por investigimet në media i quajti ‘gjueti’ shtrigash dhe tha se çështja po hetohet. Sipas tij, këto kompani janë shembuj suksesi dhe mbajnë në punë mijëra njerëz.
“Kërkon analizë, mban më shumë era gjobë sesa era gazetari. Sugjerimi im është mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që punësojnë mijëra njerëz dhe kontribuojnë. Askush nuk është ëngjëll dhe askush nuk është i përjashtuar nga e drejta për të dyshuar dhe vlerësuar deri në fund kur ka një problem, patjetër.
Por është sabjektësi e madhe se nuk e kam parë në vende të tjera, se këtu suksesi kthehet në mallkim. Se këtu goditen nga mëngjesi në darkë, si kulakët pas viteve të Çlirimit. Rasti konkret mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, por edhe mund të mos jetë.
Prandaj po hetohet, KLSh po bën një hetim. Pastaj ejani këtu dhe numëroni lekët kompanisë se i numëroni edhe mbrapsht. Është fatkeqësi e madhe kjo, helm për publikun edhe goditje për të vërtetën, dhe mos e harroni gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra të madhe.”-tha Rama.