Reshjet në Gjirokastër/ Golemi: Strukturat në terren për të kryer ndërhyrjet e duhura

Kryetari i bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi tha sot se janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e krijuara nga reshjet e dendura të shiut.

Golemi tha se janë në terren të gjitha strukturat e Bashkisë Gjirokastër, për të parë nga afër problemet e krijuara për shkak të reshjeve intensive të ditëve të fundit, si dhe për të kryer ndërhyrjet e duhura që të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe e mjeteve.

“Zhbllokuam rrugën drejt Zhulatit dhe ndërhymë gjithashtu në akset Kolonjë-Golem, Kordhocë-Lazarat, Asim Zeneli-Krinë-Tranoshishtë-Saraqinishtë, Ura e Lumit-Topullaraj”, tha Golemi.

Ai tha se po ndjekim me shqetësim situatën e erozionit në kodrën pranë pallatit në lagjen “Punëtori”.

“Për momentin specialistët vlerësojnë se gjendja është e qendrueshme, sidoqoftë jemi në komunikim të vazhdueshëm me banorët dhe strukturat qëndrore të Emergjencave Civile. Parashikimet thonë që do të ketë reshje edhe në ditët e ardhshme prandaj ju bëj thirrje të shmangni lëvizjet e panevojshme nëpër rrugë, si dhe të bashkëpunoni në çdo rast emergjent me strukturat shtetëtore”, shprehet ai.