Prefekti Mamaj: Probleme në disa rrugë të qarkut nga rënia e inerteve, po punohet për pastrimin e tyre
Pas reshjeve me intensitet të lartë natën e djeshme rrëshqitja e rrugës në aksin Borsh-Sarandë vazhdon të jetë aktive, ku një pjesë e murit është shkëputur, por lëvizja e mjeteve vazhdon të bëhet tek korsia e mbetur.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot për ATSH-në se “segmentet e tjera rrugore përveç disa zhavorishteve, nuk kanë probleme”.
Ndërsa, vijon Mamaj, në segmentin Ura e Kranesë – Syri i Kaltër po punohet me mjete dhe njerëz për pastrimin e plotë të dherave.
“Rruga është e hapur për qarkullimin. Në segmentin Lukovë- Bunec ka rënie dherash në rruge dhe kalohet vetëm në një korsi. Në segmentin Piqeras- Borsh ka rënie dherash në kunete”, – theksoi Mamaj.
Prefekti Mamaj u shpreh se “si pasojë e shirave me intensitet shumë të lartë, rrëshqitja tek Nimfa është agravuar edhe më shumë. Siç e dini këtu janë marrë masat e nevojshme për vendosjen e sinjalistikës. Ka patur gjithashtu, dalje inertesh nga rrugët dytësore dhe po punohet për pastrimin e tyre”.
“Në bashkine Finiq ka rënë një seksion i urës (kanali ujitjes)së Thoma Filipeut”, – shtoi Mamaj.
Mbrëmjen e djeshme ka pasur reshje intensive shiu, të cilat ishin më të përqëndruara në veri dhe në jug të territorit. Në veri dhe verilindje të vendit reshjet ishin edhe në formë dëbore në lartësitë më të mëdha se 300 mbi nivelin e detit.