Merr formë Lungomare 2 në Vlorë/ 1 kilometër plazh i kombinuar me standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje
“Në Vlorë ku po merr formë Lungomare+ bashkë me 1 kilometër plazh të kombinuar urban dhe natyral, pishinën olimpike e pishinën e fëmijëve, parkingun nëntokësore, shëtitoren e pishave, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit në standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, i cili pa nga afër ecurinë e punimeve në kantierin për ndërtimin e Lungomares dhe transformimin që sjell ky projekt për qytetin bregdetar.
Duke folur për ecurinë e punimeve, kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli tha se janë rreth
6 mijë m2 sipërfaqe plazhesh të krijuara përveç plazheve natyrale. “Kemi dhe plazhe të tjera që janë përshtatur në një sipërfaqe prej rreth 6 mijë m2. Nuk ka pasur ndonjëherë një standard të tillë plazhesh publike, standard plazhi me 5 yje. Të gjithë elementët janë të në favor të projektit”, tha Leli.
Vendosja e shkallareve që zbresin në det, muri anësor i punuar në detaje dhe konceptimi i shkallëve që lidhin trotuaret me pjesën e Lungomares i japin një tjetër dimension këtij projekti.
Leli tha se kanë filluar të mbillen pishat e reja që janë të një lartësie 6-7 metra dhe do të vazhdojë për të pasur një shëtitore të mbuluar me hijen e 100 pishave.
Po ashtu, Leli tha se parkimi me 160 vende do të jetë një investim privat. “Në këtë territor çmimet e banesave nga një nivel mesatar që kanë pasur krahasuar me qytetin, sot thuajse janë trefishuar”, tha Leli.
Kryeministri pa nga afër edhe pishinën e fëmijëve dhe pishinën olimpike, e cila është e pajisur me të gjithë elementët e pastrimit e klorinimit sipas standardeve bashkëkohore.
Po ashtu, si pasojë e realizimit të këtij projekti është zhvendosur edhe stacioni i pompimit të ujërave të zeza që shkarkonte në det, i cili tanimë shkarkon në rrjetin e kanalizimeve.
“Transformim rrënjësor i gjithë hapësirës, me atë tmerr që ishte”, tha Rama.