Buxheti i bashkisë Finiq, ja investimet prioritare
Në mbledhjen e fundvitit 2020 Këshilli Bashkiak i bashkisë Finiq miratoi buxhetin e vitit 2021. Buxheti i 2021 konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha viteve ku, së bashku me fondet evropiane për programet Rhythm, Mile Stones II, Mile Stones III dhe Solis, arrin në rreth 6.1 milion €.
Transferta së bashku me financimin e katër projekteve të infrastrukturës dhe furnizimit me ujë tejkalon 500 milion lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe aktivitete të tjera të bashkisë janë parashikuar në masën 89,553,000 lekë.
Sipas kryetarit të bashkisë, Kristaq Kiço, sigurimi i këtij fondi të rëndësishëm nga qeveria u arrit duke prezantuar projekte serioze që zgjidhin probleme në shkallë të gjerë, të tilla si furnizimi me ujë në të gjitha fshatrat e bashkisë dhe shërbime të rëndësishme sociale për t’i shërbyer banorëve të bashkisë siç janë qendrat e pritjes për të moshuarit dhe shtresave në nevojë.
Investimi më i madh dhe më i rëndësishëm është bërë në tre ujësjellës rajonalë, Merko, Leshnicë dhe Finiq.
Kohëzgjatja e përfundimit të këtyre projekteve do të jetë 2 deri 3 vjet, sepse në studime, përveç tubacioneve kryesore, parashikohet edhe rrjeti brenda fshatrave në mënyrë që uji i pijshëm të jetë 24 orë dhe të shkojë në çdo shtëpi.