Vlora festive edhe në kohë COVID-i/ Krybashkiaku Leli: 2021 ‘boom’ investimesh
Qyteti i Pavarësisë, Vlora është veshur festive në përpjekje për të sjellë pak atmosferë në një kohë jo fortë të favorshme, për shkak të pandemisë.
Kryebashkiaku Dritan Leli, duke folur për Report Tv ka treguar se çfarë ofron Vlora këtë fundviti, edhe përse në një periudhë pandemie.
“Ne vendosëm qe këtë herë të organizonim dy qendra për të festuar festat e fundvitit siç tradita e do. Këtë herë zgjodhëm sheshin përballë Shkollës së Marinës duke u përpjekur te krijojmë një mundësi promovimi për të gjitha investimet që kanë ndodhur në qytet, dhe këtë vit kemi krijuar pikërisht këtë qendër përballë shkollës së marinës një investim për rreth 20 mijë m2 gjelbërim , kemi rikonstruktuar fasadën e ish shkollës së marinës, kemi realizuar ndriçimin dhe një piste akulli pak metra nga deti ku fëmijët janë gjithmonë prezent duke u argëtuar.
Kemi organizuar një pikë tjetër në zonën historike , një investim i fundit ku këtë verë u vizitua nga pafund vizitor dhe ata turistë që erdhën gjatë sezonit pavarësisht kushteve por që ngelet një atraksion që vizitohet nga shumë qytetarë.”tha Leli.
Kryebashkiaku kur është pyetur se çfarë aktivitetesh do të bëhen ditën e ndërrimit të viteve, është shprehur se ende po pritet të dali një akt normativ i cili do të përcaktojë nëse do të mbahet ndonjë ceremoni modeste.
”Presim aktin normativ për të parë nëse do këtë ndonjë ceremoni modeste apo do shijojmë fishekzjarrët nga disa pika të qytetit”, tha Leli.
Ai foli edhe në lidhje me ekonominë e qytetit, e cila mbështetet kryesisht te turizmi i cili sipas tij gjatë verës ka qenë mjaft i kënaqshëm, ndërkohë që gjatë dimrit situata është krejt e vakët.
“Arritëm të kemi përsëri një sezon turistik te suksesshëm në parametrat qe shumë biznese turistike janë pozitiv në atë që shprehin duke treguar rritje të rëndësishme gjatë muajit gusht.
Gjithsesi periudha nëntor dhe dhjetor nuk ka patur shifrat qe bizneset kanë pritur dhe shpresoj qe java e fundit të këtë lëvizje në hotelieret por sigurisht duhet kujdes për shëndetin. Edhe pse rastet me COVID ne Vlorë janë optimiste nuk janë shumë krahasuar me popullatën por sërish duhet treguar përkujdesje”, është shprehur kryebashkiaku.
Leli tha se 2021 do të jetë një ‘boom’ investimesh publike. Ai foli për një investim prej 7 milionë eurosh që do të bëhet për përmirësimin e ujit të pijshëm, furnizimin e tij në çdo lagje të vendit dhe investime në zonën e tunelit në drejtim të Orikumit.
“Bashkia është një njësi që koordinon investimet publike që bëhen në territorin e bashkisë së Vlorës, menaxhohen me qeverinë shqiptare dhe donatoret e rëndësishëm. Unë them që ajo që ne presim të ndodhë është një boom investimet ku do jetë përmirësim i ujit te pijshëm qe do përfshijë me një projekt prej 7 milionë eurosh, njësinë admitrative me gjithë fshatrat përreth , me një pritje të lumit Vjosë , furnizime te ujit në lagjen partizani si dhe një serë investimesh. Janë disa nga projektet që flasim por ajo që është me rëndësishme është investimi nga zona e tunelit në drejtim të Orikumit. Ka mbërritur në bashkinë e Vlorës investimi ne këtë zonë nga tuneli deri në bazën e Pashalimanit. Kjo do krijojë një akses për ata qe do vizitojnë Vlorën në vazhdim.”, tha ai.