Sarandë, pensionistët “harrojnë” Covid-in, vërshojnë para Postës për bonusin

Ka nisur ditën e hënë, si në gjithë vendin, edhe në Sarandë, shpërndarja e shpërblimit të fundvitit për pensionistët, që është një shumë në vlerën 5 mijë lekë të reja.

5500 është numri i pensionistëve që do të marrin shpërblimin e fundvitit në Sarandë. Dita e parë e shpërndarjes së shpërblimeve ka krijuar dyndje dhe radhë të pensionistëve në sportelin e Postës Shqiptare, filiali Sarandë.

Të moshuarit i kanë shpërfillur disi rregullat e Covid-19, ku ndonëse me maskë ata shfaqen në distancë të afërt me njëri-tjetrin.

“E kam programuar punën për shpërndarjen e shpërblimit. Kam katër sportele që punojnë, ndërkohë që hapen sportelet në orën 07.00 të mëngjesit deri në orën 20.00, na thotë drejtori i Postës Filiali Sarandë, Kristo Mallanezo, ndërsa ka kërkuar mos grumbullim dhe respektim të distancës nga qytetarët, sipas  protokollit për pandeminë.

Më herët Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikoi një grafik duke shpjeguar se shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet në një mënyrë që shmang dyndjet dhe grumbullimet.

Shpërblimi prej 5 mijë lekësh për pensionistët  vjen në një vit të vështirë për ekonominë e familjeve shqiptare, pasi vendi u përballë me pasojat e tërmetit dhe pandemisë.l