Projektet e mëdha që do të ndryshojnë Gjirokastrën
Nga Brikena Metaj
Viti 2020 përveçse si viti i pandemisë që ndryshoi rrjedhën e përditshmërisë sonë dhe goditi fort ekonominë globale, do të mbahet mend prej gjirokastritëve si viti që u hapi rrugën dy projekteve të rëndësishme transformuese për infrastrukturën dhe të ardhmen turistike të qytetit.
Pas vitesh debate, një rrugë e re alternative për ndërtimin e një bypass-i në Gjirokastër duket se ka shteruar kundërshtitë e zjarrta, ndërsa riformatimi i Sheshit të Çerçizit dhe ndërtimi i një parkimi nëntokësor do t’i japin zonës muzeale dhe vetë qytetit turistik, një tjetër frymëmarrje.
Bypass i Gjirokastrës, një histori debatesh dhe kundërshtish.
Katër vjet më parë qeveria shqiptare artikuloi për herë të parë projektin e një bypass-i në Gjirokastër. Ishte 13 shtatori 2016 kur Këshilli Kombëtar i Restaurimit dha miratim paraprak të një projekti bypass-i në Gjirokastër, synimi i të cilit ishte devijimi i qarkullimit të automjeteve nga zona muzeale dhe kryesisht nga qendra e Qafës së Pazarit, si destinacioni kryesor turistik i turistëve që mbërrijnë në qytetin e gurtë. Problematika e bashkëjetesës së turistëve me makinat ka qenë përherë në fokusin e medias dhe të specialistëve, si një ndër shqetësimet kryesore të turistëve.
Ideja e një projekti të tillë u mirëprit, por vetë projekti hasi në reagimin e menjëhershëm të specialistëve dhe publikut duke e detyruar qeverinë të tërhiqej përkohësisht. Projekti i propozuar fillimisht nga qeveria u kundërshtua me argumentimin e cenimit të vlerave natyrore dhe kulturore të qytetit, ndërsa vendi ku do të kalonte bypass-i u konsiderua si i papërshtatshëm prej specialistëve për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës.
Projekti fillestar synonte devijimin e qarkullimit nga Qafa e Pazarit më në lartësi të kalasë, duke kaluar në brendësi të lagjes “Pazar i vjetër”. Banorë të lagjes “Pazari i vjetër” pohuan se projekti rrezikonte banesat e kësaj lagjeje, ndërsa specialistët ngritën alarmin për rrezikun që i kanosej kalasë së gurtë. Të paktën 11 studime dëshmuan se zona ku planifikohej të zbatohej projekti ishte një zonë tepër e rrezikshme gjeologjike dhe sizmike, ndërsa ndikimi në peizazh i një shkalle tepër të lartë.
Pas debateve dhe kundërshtive të forta nga banorët dhe specialistët, qeveria u detyrua të tërhiqej duke deklaruar rishikim të projektit dhe gjetje të tjera alternative për stabilizimin e qarkullimit në zonën muzeale.
Ndryshimi i projektit të vjetër dhe prezantimi i një projekti të ri
Fillimisht ndryshimi i projektit u bë i ditur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në një takim publik të zhvilluar marsin e vitit 2017, nga Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës. Sipas tyre, projekti i ri do të shmangte kalimin e rrugës nga lagjja “Pazar i Vjetër” duke kërkuar mënyra të tjera alternative. Së fundmi pushteti qendror dhe ai vendor dalin para publikut me një projekt të ri bypass-i i cili duket se nuk ka hasur në kundërshtime nga banorët. Projekti duket se ka marrë parasysh kërkesat e specialistëve dhe vetë banorëve për ndërtimin e një bypass-i që do të kalojë nga Ura e Nanxës dhe do të përfshijë dy lagjet e sipërme të qytetit, të cilat prej kthimit të Pazarit në pedonale përballen me vështirësinë e qarkullimit të tyre me automjete private apo publike.
Bashkia Gjirokastër organizoi një dëgjesë publike duke bërë prezantimin e këtij projekti që sipas saj do të sjellë ndryshimet e duhura në qytet dhe një tjetër qasje në pamje.
Për kryebashkiakun Flamur Golemi, projekti i bypass-it Ura e Nanxës – Urat e mëdha Dunavat, parashikon një ndërhyrje infrastrukturore që vjen si nevojë e një rruge alternative në qytet për lagjet muzeale. “Pas kthimit të Pazarit në pedonale, qarkullimi i makinave u minimalizua, por duke patur pasoja dhe vështirësi për mjetet automobilistike të lagjeve të sipërme të qytetit”, thotë kryebashkiaku Golemi.
Viti 2018 mbahet mend nga gjirokastritët si viti kur toka u rrëshqiti nën këmbë. Qyteti u përfshi nga një valë rrëshqitjesh në disa lagje të tij, më të dendura në lagjet e sipërme të qytetit. Bypass-i i ri kalon pikërisht në disa prej këtyre segmenteve të vendosura në shpatet e Përroit të Nanxës që me vitet është kthyer në një tokë problematike për banorët, si pasojë e rrëshqitjeve të vazhdueshme të tokës. Golemi shton se “Kjo ndërhyrje përveç zgjidhjes së problemit të qarkullimit, gjithashtu i jep zgjidhje përfundimtare rrëshqitjeve të shpateve të Përroit të Nanxës që ka qenë një zonë me rrezikshmëri të lartë për banorët e kësaj zone në të dy anët”.
Një projekt i ri by pass-i për Gjirokastrën
E vendosur rreth 1.1 km nga qendra e Gjirokastrës, në pjesën verilindore të saj, bypass-i i qendrës historike Ura e Nanxës – Urat e Mëdha Dunavat, nis nga Ura e Nanxës, një monument kulture i ndërtuar një shekull më parë. Rruga shtrihet në luginën e përroit të Nanxës dhe ka një gjatësi rreth 980m dhe gjerësi rruge 6 m për lëvizjen automobilistike, si dhe 3 m trotuar në të dy anët e rrugës, me ndriçim në të gjithë gjatësinë e saj. Vlera e investimit të këtij projekti është 693,353.096 lekë.
Kryebashkiaku Golemi pohon se “Ndërtimi i bypass-it në qendrën historike do të bëjë të mundur devijimin e trafikut si dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë, zhvillimit të turizmit, duke përmirësuar maksimalisht qarkullimin për banorët dhe vizitorët me rezultat rritjen e performancës turistike të qytetit”.
Traseja e Bypass -it mendohet të shfrytëzoje luginën e përroit të Nanxës që sipas projektit “është mjaft e thellë dhe në aktivitet gërryes për shkak të diferencave në kuota nga fillimi i këtij përroi e deri në derdhjen e tij në lumin Drinos, por dhe për shkak të pranisë së depozitimeve flishore me dominim argjilor lehtësisht të përafrueshme e kësisoj lehtësisht e erodueshme”.
Bypass-i i Nanxës, alternativa e duhur për Gjirokastrën?
“Në çdo rast synimi i një bypass –i ka qenë dhe është të ruajë karakterin këmbësor të Pazarit, kërkesë edhe e Unesco-s për qendrat historike, por tani që Pazari është zonë këmbësore janë më shumë bizneset dhe banorët vetë që e kërkojnë nevojën e një bypass-i. Nuk shoh arsye që të ketë kundërshtime sepse ky projekt i shërben edhe Qendrës Historike, edhe nevojave të banorëve, ashtu si edhe biznesit dhe turizmit. Megjithatë prandaj bëhen konsultimet publike, që të sqarohemi e të informohemi reciprokisht”, shprehet Golemi, ndërsa shton se “qëllimi i të dy projekteve është i njëjtë: ruajtja e Qendrës Historike, ruajtja e Pazarit për këmbësorët dhe turistët”.
Arkitekt Jorgo Xuhano shprehet optimist për ndërtimin e bypass-it të ri. Ai shton se kthimi i Pazarit dhe “Sheshit të Çerçizit” në zona pedonale kthehen në shqetësim për qarkullimin e makinave që lidhin lagjet e sipërme të qytetit, ndaj kjo e bën të domosdoshëm ndërtimin e një bypass-i në Gjirokastër.
“Projekti i parë mendoj se nuk qe i duhuri, jo se ishte brenda qendrës historike, por sepse kalonte në një lagje të vjetër të qytetit duke prishur edhe disa banesa në këtë zonë”, thotë ai për Portën Vendore.
Për arkitekt Xuhano, projekti i paraqitur për t’u ndërtuar dhe që është miratuar me një vlerë 700 milion lekë nga ura e Nanxës tek urat në Dunavat, është një zgjidhje e mirë.
“Ky projekt kalon në një zonë të pabanuar, duke mos prekur asnjë banesë pavarësisht se është në zonën e Qendrës historike. Me bërjen e bypass-it në këtë zonë, mendoj se bëhet një lidhje midis lagjes ‘Cfakë’, ‘Dunavat’ dhe ‘Pazar i vjetër’ që bën të mundur dhe zhvillimin e kësaj zone në një zonë të vizitueshme dhe përmirësimin e infrastrukturës pritëse turistike për vizitorët vendas e të huaj. Nuk mund të flas me detaje sepse kam parë vetëm një video që nuk jep të qartë punimet që do të kryen. Por e mendoj të rëndësishme përfshirjen në projekt edhe të rehabilitimit të përroit dhe ndërtimin e një pedonaleje me stola e ndriçim. Kjo do t’ia shtonte më tepër vlerat kësaj zone”, shprehet Xuhano.
Arkitekti Kreshnik Merxhani, një ndër zërat e fortë të kundërshtimit të projektit të parë të Bypass-it, e quan një hap pozitiv mosrealizimin e atij projekti. “Në plan afatgjatë duhet parë si do të ndërhyhet, duke patur parasysh që është një zonë me probleme gjeologjike”, shprehet ai.
Merxhani pohon se UNESCO nuk është njohur me këtë projekt. “Vetë bashkia duhet të ketë marrëdhënie të mirë me UNESCO-n. Gjirokastra ka nevojë për këto marrëdhënie”, shton Merxhani.
Në vitin 2011, Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s kërcënoi se Gjirokastra do të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik nëse nuk plotësonte disa kritere, duke përfshirë edhe zhvillimin e një plani menaxhimi. Prioritare, thotë Merxhani, mbetej marrja në konsideratë e studimeve të mëparshme, ku më i rëndësishmi ishte “Plani i rikuperimit të qendrës historike Gjirokastër” i cili ka nevojë të çohet më tej si dhe krijimi i një plani serioz dhe të qëndrueshëm të turizmit dhe të menaxhimit të ndërhyrjeve të konservimit të integruar. “Projekti i ri është sigurisht një alternativë shumë më e mirë sesa projekti i parë, edhe pse kalon në një zonë problematike për sa u përket shkarjeve gjeologjike, por Gjirokastra ka nevojë së pari për restaurime emergjente të monumenteve të kulturës brenda qendrës së vet historike, të cilat janë në rrezik për t’u humbur përgjithmonë. Nevojat më të mëdha të këtij ansambli të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për momentin janë restaurimi i arkitekturës popullore në rrezik shembjeje, vlerat e të cilave përbëjnë shtysën kryesore për të cilën Gjirokastra u fut në Listën e trashëgimisë botërore”, shprehet Merxhani.
Projekti i Sheshit të Çerçizit, një dritë jeshile në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Gjirokastra pritet t’i nënshtrohet një tjetër projekti që synon të riformatojë paraqitjen e qytetit muze. Sheshi “Çerçiz Topulli” do të ketë një rikonceptim të ri që përfshin edhe një parkim nëntokësor për të disiplinuar fluksin e automjeteve të shumta sidomos gjatë sezonit veror falë një projekti të financuar sërish nga FSHZH me një fond limit prej rreth 420 milionë lekë.
“Ky parkim do të sjellë lehtësimin e qarkullimit si dhe orientimin e mjeteve që do të sjellin turistë në zonën e vjetër të qytetit, në këtë mënyrë hyrja në këtë zonë do të bëhet më komode”, u shpreh kryebashkiaku Golemi.
Objektivi kryesor i projektit është rivitalizimi i sheshit të Çerçizit dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin “Çerciz Topulli”, për të akomoduar dhe ndihmuar menaxhimin e rritjes së flukseve turistike, njëkohësisht duke sjellë koherencë në hapësirat urbane pa ndryshuar trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës.
Projekti synon të sjellë lehtësimin e qarkullimit si dhe orientimin e mjeteve që do të sjellin turistë në zonën muzeale të qytetit duke e bërë funksional këtë shesh. Parkimi nëntokësor do të jetë trekatësh dhe do të ketë një kapacitet prej 300 mjetesh. Projekti synon t’i sjellë zonës një aset strategjik për përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës turistike, duke ruajtur asetet kombëtare të trashëgimisë kulturore. Zbatimi i këtij projekti mendohet të zgjasë deri në 15 muaj.
Sipas bashkiakut Flamur Golemi duke patur në vëmendje që qyteti i Gjirokastrës, sidomos pjesa e vjetër e tij, ka mungesë të elementëve të rekreacionit, si sheshe të vogla apo kënde lojërash për fëmijë, është menduar rivitalizimi i sheshit tek “Shtëpia e Pionierit” sot QKF – ja, apo edhe sheshi para bashkisë.
“Qëllimi kryesor i këtij projekti është krijimi i një oazi qetësie dhe argëtimi për qytetarët si dhe dhënia jetë e një pjese shumë të rëndësishme të zonës së vjetër duke e bërë Qafën e Pazarit të lidhet natyrshëm dhe këndshëm me pjesën tjetër të qytetit”, u shpreh ai.
Arkitekt Xuhano argumenton se pas përfundimit të restaurimit të Pazarit të Gjirokastrës, (ku kanë mbetur edhe dy blloqe pa u restauruar, nga ish – klubi i gjuetarëve në drejtim të ish – poliklinikës), dhe me kthimin e saj në pedonale, punimet në sheshin e Çerçizit për ta kthyer edhe këtë shesh në pedonale, plotësojnë projektin për shndërrimin e zonës më të rëndësishme të Gjirokastrës.
“Para viteve ’90 në pazarin e Gjirokastrës dhe në sheshin ‘Çerçiz Topulli’ nuk kishte shumë lëvizje makinash dhe gjirokastritët bënin shëtitje në Pazar dhe në shesh. Pas vitit 1991, me ndryshimin e sistemeve, ndryshuan shumë gjëra. Në Gjirokastër si kudo u shtuan makinat dhe filluan të shuhen edhe shëtitjet në këtë zonë, duke bërë që pazari bashkë me sheshin e Çerçizit të mos kishin më atë shkëlqim dhe këtë e them se u braktis nga njerëzit. Me restaurimin e pazarit filloi përsëri që pazari të marrë shkëlqimin që kishte më parë”, rrëfen mes nostalgjisë Xuhano ndërsa shton se:
“Unë e konsideroj një vendim shumë të drejtë ndalimin e qarkullimit të makinave në Pazar. Por kjo e ktheu sheshin në një parkim makinash duke ia humbur funksionin që ka patur dhe duhet të ketë. Ndërhyrja në sheshin e Çerçizit për ta kthyer ne pedonale dhe bërja e parkingut nën këtë shesh bën që së bashku me Pazarin të krijohet një kompleks i tërë dhe i pandarë për funksionin e ri dhe atë që ka patur më parë”, thekson Xuhano./ PortaVendore.al