Ish ministri Brendshëm: Fatos Nano i pari kryeministër që u afrua me botën e krimit
Ish-ministri i Brendshëm Neritan Ceka ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story”, ku ka akuzuar ish-kryeministrin Fatos Nano si të parin kryeministër që u afrua me botën e krimit.
Ai tregoi që kur u vendos në krye të ministrisë është përballur me një polici pa mjetet e duhura për të ruajtur rendin, por brenda 2 muajsh u vendos rregulli dhe nisën çarmatimet.
“Kam ikur në prill ’98 si ministër, më pak se 1 vit qendrova. Jam përballur me një polici që s’kishte as mjete, një situatë e paimagjinueshme ku gjithë vendi ishte jashtë kontrollit, ku nuk udhëtoje dot as nga Tirana drejt Elbasanit. Por brenda 2 muajsh u vendos rregulli, nisën çarmatimet. Sollëm një imazh të ri të një qeverie disa partiake ku u përfaqësua një shtresë e gjerë e popullsisë, ku çdo njeri shihte punën e tij.
Unë nuk kam dhënë dorëheqje, ishte Nano ai që vendosi të bëjë disa ndryshime në qeveri. Kujtoi se u stabilizua vendi dhe ndryshoi kursin e qeverisjes. Ai është i pari që u afrua me botën e krimit. Kjo e çmobilizoi policinë, rriti kredibilitetin e opozitës, i hapi rrugë krimit të vepronte edhe në mes të Tiranës, përfshi pastaj edhe vrajsen e Azem Hajdarit. E majta shqiptare në vend të ishte përfaqësuese e një morali europian, ka përfaqësuar tendencat e djathta të Amerikës Latine”,- tha Ceka.